BSH ul me 0.25% normën bazë të interesit, Sejko: Ekonomia u rrit

Banka e Shqipërisë ul me 0.25% normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar këtë tregues në nivelin 2.75%. Guvernatori Gent Sejko tha se Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen.

”Të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3.75%”. Ai tha edhe se inflacioni po afrohet në afatmesëm gradualisht drejt objektivit të BSH-së në nivelin 3%. Sejko tha se ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gysmës së parë të vitit 2024, trend i cili pritet të vijojë deri në përfundim të këtij viti.

”Ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit, ndërkohë që rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe politika konsoliduese fiskale kanë pasur ndikim frenues”.

SHKARKO APP