Bujqësia e riskut të lartë në Torovicë

Shikim prapa: këneta e Kakarriqit-fusha e Torovicës

Nga Gjovalin Gjeloshi

Ish-këneta e Kakarriqit dikur, u bë fusha e begatë e Torovicës. Pa “humbur” thellë në histori, begatia e kënetës së dikurshme, nuk shkëlqente më pak se hambari i prodhimeve të bollshme, në të cilin u transformua më vonë. Ishte propagandë e sistemit të kaluar, ajo që na tregonte përralla se, e vetmja pasuri e kënetës ishin mushkonjat që sillnin malarien. Këneta në verë, por edhe në dimër ishte një “Misir” i vërtet, si thotë populli, për të treguar një vend prodhimtar e që sjellë shumë të mira materiale: gjuetia e peshkut aq e përhapur dhe e bollshme sa peshku matej me kosha si prodhimi i misrit. Shpendët e egra ishin më të përdorshme në ushqimin e popullatës se sa ato të kultivuarat në shtëpi. Aq me shumicë ziheshin e gjuheshin këto asortimente sa edhe tregu i tyre ishte aq i lirë. Bollëk për të gjithë: për ata që gjuanin e zinin e për ata që blinin. Këneta ishte një oaz ideal për rritjen e bagëtive të trasha e të imta. Aq shumë mbante bagëti ky vend dhe aq kullotë pa fund kishte, sa të zotët e tyre kurrë nuk e ditën numrin e saktë të kafshëve që mbanin. Ato pillnin në kënetë, rriteshin atje nëpër mezhda e kaboqe dhe gati-gati bëheshin si të egra. Këto burime jetese e të tjera, i bënin banorët e këtyre zonave, ndër më të pasurit e trevave.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nuk do diskutim se, përfitimi i tokës bujqësore prej largimit të ujërave e tharjes së kënetës, ishte një sukses, që më tepër se për zonën, vlente për vendin tonë në tërësi, për të shtuar sipërfaqen e tokës arë në një vend, ku mungonte më së shumti se në vendet rreth e rrotull. Emri i kënetës dhe “pronësia” e saj, dalëngadalë humbi nga e folura e përditshme dhe mbeti vetëm në hartat topografike ushtarake dhe në fjalorin e të moshuarve vendas të hershëm. Me kohën fitoi terren emërtimi “fusha e Torovicës”, një fshat i padëgjuar deri atëherë me 7-8 shtëpi dhe me pak histori. Rendimentet e larta në prodhime bujqësore, kryesisht në bostan, patate e bimë arash, e bënë këtë fshat të dëgjuar në të gjithë Shqipërinë. Njohje më të madhe i dha edhe rruga kombëtare automobilistike Tiranë-Shkodër, e cila u spostua këndej pas vënies në punë të aeroportit ushtarak të Gjadrit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bujq të frikësuar-fermerë që guxojnë

Emri i mirë i bujqësisë intensive në këtë zonë, fatkeqësisht e pati një fund. Fundi përkonte me fillimin e proceseve demokratike ose më mirë me thënë, me fillimin e reformave të dyshimta ekonomike. Erdhi një vit që grurin e mbolli si çdo herë Ndërmarrja Bujqësore e centralizuar dhe shumicën e sipërfaqes nuk e korri askush: e hëngrën për bar të njomë bagëtitë, që sapo kishin formuar tufat e para në pronësi të bujqve privatë. Sistemi ujitës në formë shiu, ndër më modernët në Shqipëri e më gjerë, u zhbi nga toka e me tubat plastik të cilësisë së lartë lulëzoi industria e prodhimit artizanal të qypave e gaviçave për të mbajtur bërsitë e rrushit. Por goditja më e madhe e bujqësisë së rendimenteve të larta të kësaj zone, qe braktisja prej shtetit e kujdesit dhe detyrimit për të mbajtur në gatishmëri rrjetin kullues, si domosdoshmëri që kjo “tokë e Torovicës” të mos kthehet në gjendjen e mëparshme, në “kënetë të Kakarriqit”.

Bujqit në parcelëzat e tyre të veçuara, të ndarë nga njëri-tjetri, nuk i bën dot ballë problemeve që u shfaqën qysh në vitet e para, të kullimit të madh: pastrimit të kolektorëve e kanaleve sekondare kulluese, por edhe defekteve të herëpashershme në funksionimin e hidrovorit. Për disa vite rresht ata mbollën dhe nuk korrën. Harxhuan dhe nuk fituan as bukën, derisa qesja e tyre u boshatis. Kësisoj u krijuan grupimet e bujqve të frikësuar, të cilëve nuk ua mbante të hidhnin më farë bime në tokë. Filloi të lulëzoi tregu i lirë i tokës. Fshatarët të pashpresë, se kësaj toke ndonjëherë do t‘i ruhej regjimi ujor, e braktisën atë: dikush e shiti me çmime qesharake (sa poshtë i ra vlera këtij hambari), të tjerë nuk u morën më me të, e dhanë me qira me vlera që as nuk mund të mendohen etj. Si përfundim, frikësimi i bujqve që përfituan tokë sipas ligjit, ishte më se i ligjshëm.

Nga ana tjetër “lindën” një kategori fermerësh guximtarë. Duke pasur disa mundësi financiare të fillimit, ata i hynë një aventure të rrezikshme: deri atëherë toka në këtë zonë ishte përmbytur rregullisht çdo vit, një e dy herë. Madje, në asnjë stinë nuk rezultonte e garantuar. Përmbytej toka me grurë si bimë e dimrit, por edhe me misër e bostan si bimë të verës. Sot në Torovicë, falë këtyre guximtarëve, janë krijuar fermat e para në kuptimin e vërtet të fjalës, fermë.

2200 hektarë, asnjë metër e pashfrytëzuar

Kaq është sipërfaqja e përgjithshme e ish-kënetës, në të cilën kanë tokën banorët e katër fshatrave. Jo vetëm për kureshtje, do të sjellim për lexuesin strukturën e mbjelljes së kulturave që kultivoheshin deri në vitin 1990 prej ndërmarrjes bujqësore të Lezhës, në këtë sipërfaqe: dy kulturat kryesore ishin gruri e foragjeret me nga 600 deri në 650 ha. Pastaj vinin misri e luledielli me nga 300-350 ha dhe në fund dy kulturat më interesante për nga cilësia e fitimi, që ishin bostani e patatja e hershme, përkatësisht me 130 e 180 ha. Pa harruar edhe një sipërfaqe prej 10 ha që mbillej me perime, këto janë shifrat që plotësojnë sipërfaqen e përgjithshme. Rendimentet mesatare ishin nga më të lartat në vend, pa harruar se disa njësi prodhimi, brigada, arrinin rezultate shumë të larta.

Po sot…? Në horizont duket një fije shprese. Pasi kemi kapërcyer disa vite të braktisjes të mbjelljes së tokës, si rezultante e frikës që përfshiu fermerët me sipërfaqet e tyre të vogla, inkuadruar në një kullim të madh të dobët, po të “inspektosh” këtë fushë të gjerë e të gjatë, do të vesh re se pak sipërfaqe toke është e pambjellë dhe e gjitha është e shfrytëzuar. Kjo, falë guximit të disa fermerëve që e marrin në sy riskun e lartë që ka bujqësia edhe sot në këtë zonë.

Çfarë mbillet? Nga struktura e dikurshme e një ekonomie të planifikuar e të centralizuar, mungon vetëm bima e lulediellit dhe është ulur ndjeshëm sipërfaqja e patates. Po kështu pas grurit nuk rendet shumë. Jo se fermerët nuk e vlerësojnë këtë bimë, me më pak kosto e punë se të tjerat, por se, si gruri edhe patatja e hershme, për zonën ku ndodhemi, futen në listën e bimëve më të rrezikuara për shkak të kullimit të dobët të tokave. Sipërfaqja me grurë pothuaj është reduktuar në “bukën për vete” dhe nuk mbillet as një e treta e sipërfaqes së dikurshme.

Këtë vit përparësi ka marrë bima e misrit. Në të gjithë sipërfaqen e kësaj zone janë të mbjella rreth 700 ha, dyfishi i sipërfaqes së dikurshme që mbillte NB-ja në të dy sektorët e saj, Torovicë e Balldre. Po kështu edhe bostani po mbillet në sipërfaqe të konsiderueshme. Nga të dhënat rezulton se nuk është arritur sipërfaqja e dikurshme, por me këtë kulturë po merren më shumë fermerë nga viti në vit. Ndërsa mbillet pak patate, sipërfaqja e foragjereve është në shifra ta larta: përveç jonxhës mbillet edhe misër kalli për silazh. Sipërfaqet më shumë depresive e të pakulluara, lihen për kullotë ose kositen për barë të thatë. E rëndësishme është se nga të 2200 hektarët, të gjitha shfrytëzohen.

Agron Gjuri me shokë…

Agroni është nga Malecajt dhe njëri prej disa fermerëve që kanë krijuar ferma prej rreth 50 ha tokë. Vetëm me bostan ka të mbjellë 5 ha. Misër me shumicë, foragjere dhe ka lënë për kullosë sipërfaqen më me probleme për kullimin. Ferma të tilla me kaq sipërfaqe e më pak, deri në 20-30 ha, kanë edhe Gjergj Ndoci, Caf Maleci, Agim Maleci, Vin Shkambi, Vatë Peci, Ndoc Bluda etj. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se investimi, sidomos në bujqësinë e Torovicës, por edhe Balldrenit ka risk të lartë: sytë nga qielli.

-Kur bie shi në korrik, natyrisht që gëzohemi, thonë ata, por kur fillojnë e rëndohen reshjet, trishtohemi. Rreziku i përmbytjeve është prezent. Pak të prishet kandari i motit-miliona lekë shkojnë dëm.

Atë natë që ra shiu – tregon Agroni duke bërë edhe shaka, mora me vete ushqime e pije dhe shkova drejt e te hidrovori. Çka po don, i them elektropompisitit, me hanger e me pi, veç pompat mos na i fik. Kur mbyllet “rubineti” i shiut pa e tepruar, kalon një makth i madh.

 

Shoqata e fermerëve…

Gjergj Shkambi, një banor i Torovicës, është “de jure” kryetar i shoqatës së fermerëve të kësaj zone. Faktikisht sot kjo shoqatë nuk funksionon dhe nuk ka ndonjë rol. Përpara disa vitesh, organizimin e fermerëve në këtë zonë e inkurajoi një organizëm humanitar siç është “Ëord Vizion”. Gjergji kujton, se përveç nxitjes për të krijuar shoqatën, u dhanë ndihma konkrete për fermerët, kryesisht në fushën e blegtorisë. Një numër i konsiderueshëm blegtorësh u ndihmuan që të ndërtojnë stalla për të imtat etj.

Edhe pse shoqata gjendet tani si jashtë funksionit, mbase në pritje për t’u riorganizuar, Gjergji të njeh me një sërë të dhënash që ai i disponon për bujqësinë e Torovicës: njëzet fermerë, thotë ai, kanë në përdorim më shumë se 6 ha secili. 60 për qind e kësaj sipërfaqeje është e mbjellë me misër. Këtë vit më pak u mboll grurë e akoma më pak patate. Rreth 60 ha janë të mbjella me misër me kalli për silazh dhe mbi 50 ha me bostan.

Në blegtori ka të dhëna gjithashtu inkurajuese: rreth 30 fermerë kanë të ndërtuara stalla ku mbarështojnë rreth 2500 krerë të imta. 15 fermerë kanë nga 7-30 krerë lopë dhe shumica e tyre kanë 2-5 krerë. Edhe mekanika bujqësore nuk mungon: në zonë ka rreth 40 traktorë me goma me nga dy agregate mesatarisht.

Kullim, kullim, kullim

Sipas statistikave të botuara, 25 vjet më parë rrethi i Lezhës kishte 28 ekskavatorë. Këta i dispononte kryesisht ndërmarrja e Ujëra-Bonifikimit, por edhe SMT-ja dhe NB-ja e Lezhës. Shumëkush e kujton se dy prej këtyre ekskavatorëve ishin të stacionuar për 365 ditë në ish-kënetën e Kakarriqit dhe punonin pa iu nda punës në pastrimin e kanaleve sekondare e terciare kulluese, pa harruar kolektorin, si kanal i parë. Vetëm kështu mbahej regjimi hidrik në parametrat e dëshiruar, vetëm kështu fusha e Torovicës u kthye në hambar të prodhimeve bujqësore, ndryshe…

Po sot…?  Bashkia që mbulon të gjithë rrethin e Lezhës dhe përgjigjet për pastrimin e të gjitha kanaleve të dyta e të treta kulluese, ka në dispozicion vetëm dy ekskavatorë me “dhëmbë të rrafshuar” dhe njërin prej tyre po përpiqet që ta mbajë në këtë zonë. Ky ekskavator prej një muaji po punon pa pushuar të shtunave as festave, por sa do të arrijë ky mjet i vetëm, me dhjetëra km kanale të papastruara tash 10 vite e kusur, që tu garantojë kullimin fermerëve që e kanë mbushur fushën me të mbjella….

Torovica dhe jo vetëm ajo, don kullim, kullim, kullim. Askush nuk e përmend ujitjen, së paku sot për sot dhe në këtë zonë. Natyra këtë vit na ka ndihmuar, por gushti nuk dimë se çfarë sjellë dhe shtatori është i shirave. Një kovë ekskavatori, edhe nëse do të punojë ditë e natë, nuk është në gjendje t’u kthejë fermerëve besimin se pushteti po merret me zgjidhjen e problemeve të bujqësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?