Bulqiza pa energji elektrike, zbardhet Puka dhe Shkodra. Probleme në Adriatik

Reshjet e para të borës kanë sjellë edhe probleme në disa zona. Në Bulqizë reshjet janë shoqëruar me erë të fortë dhe ngrica. Bora ka sjellë probleme në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, por jo vetëm. I gjithë rrethi i Bulqizës mbeti pa energji, ndërsa nis mirëmbajtja e rrugëve nacionale.

Reshjet e borës gjatë 24 orëve te fundit kanë përfshirë edhe qarkun e Shkodrës. Bora ka zbardhur të gjithë bashkinë e Pukës, ku në disa fshatra ka arritur deri në mbi 30 centimetër, ndërsa në qytet bashkia ka bërë pastrimin e rrugëve.

Edhe në zonat turistike të Thethit, Vermoshit dhe Lepushës, ka reshje të konsiderueshme. Moti u përkeqësua edhe në Adriatik. Parashikohen erëra të forta detare me drejtim nga jugperëndimi që do të vështirësojnë lëvizjet këtë fundviti.

Kapiteneria e portit detar të Durrësit, bën të ditur se të hënën dhe të martën, forca e detit pritet të arrijë 7-8 ballë. Kapiteneria ka njoftuar anijet për situatën në vazhdim duke kërkuar shmangien e lundrimeve për anijet e tonazhit të vogël e të mesëm, deri në ndryshimin e kushteve atmosferike në det të hapur, si dhe marrjen e masave të sigurisë për mjetet lundruese.

SHKARKO APP