Bushati merr pjesë në Samitin e tretë BE-Evropë Juglindore
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në Samitin e tretë BE-Evropë Juglindore, që u zhvillua në Split të Kroacisë. Në takimin e këtij viti, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme kroate dhe revista The Economist, morën pjesë Ministra të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të BE-së, të autoriteteve bankare evropiane, si dhe përfaqësues të agjencive zhvillimore. Ky takim kishte në fokus integrimin politik, ekonomik dhe tregtar të Evropës Juglindore.
Ministri Bushati mori pjesë në panelin e Ministrave të Jashtëm, i cili kishte fokus integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si element katalizator i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati u shpreh se, "Parë nga këndvështrimi i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian mbetet një pol tërheqës dhe emancipues, përtej krizave që e rrethojnë në lindje dhe në jug”.
“Në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së mbetet një instrument gjeopolitik thelbësor për stabilizimin dhe zhvillimin ekonomik në hapësirën e Evropës Adriatike. Bashkimi Evropian, nga pikëpamja e sigurisë, duhet të përforcojë krahun e tij juglindor, nga i cili kalojnë rrugë të rëndësishme energjetike, të domosdoshme për diversifikimin e burimeve", theksoi Ministri Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

