Caka: Europën na e mohon Edi Rama!
Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka ka reaguar pas deklaratës së Zv/Kryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Z. Johann Wadephul.
Në një postim në Facebook, Caka shprehet se Europën po na e mohon Edi Rama, si dhe që prej 2013-s, Shqipëria bën vetëm hapa pas në procesin e integrimit europian, duke shtuar kushtet e duke u refuzuar për të disatën herë.
Postimi i plotë:
Europën na e mohon Edi Rama!
Deklarata e Zv/Kryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Z. Johann Wadephul, tha qartë se ‘ndryshimi i vullnetit të marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, do ndalojë procesin e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian’.
Tashmë jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët e kanë të qartë që pengesa e Shqipërisë drejt rrugës europiane, është vetëm Edi Rama dhe qeverisja e tij.
Që prej 2013-s, Shqipëria bën vetëm hapa pas në procesin e integrimit europian, duke shtuar kushtet e duke u refuzuar për të disatën herë.
Askush nuk duhet të lejojë që çmenduria e një njeriu të vetëm, i ndihmuar nga buratinë të formave e ngjyrave të ndryshme, të pengojë të ardhmen e padiskutueshme europiane të Shqipërisë.
Shqipëria i takon shqiptarëve dhe Europës, jo lindjes, Serbisë e Rusisë.
E diçka për ata që u bënë patericë e pushtetit të Edi Ramës, me arsyetimin që do jepnin kontributin e tyre që Shqipëria të integrohej në BE: ja ku e keni mundësinë tuaj për të treguar që i mbajtët ato mandate për Shqipërinë e jo për xhepin e të afërmit tuaj.
Tërhiquni sa jeni në kohë nga çmenduria e Ramës! Bëjeni, çfarë prisni? Apo këstin e radhës?!