Caka: Lleshaj, ky recidivist, por krenar. Shkel ligjin dhe nuk do t’ia dijë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka folur të martën në lidhje me emërimin e Gjovalin Lokës dhe Artan Shkëmbit pas kaluan vettingun.

Ata janë të akuzuar si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Lleshaj u shpreh se mban ai përgjegjësi për emërimin e Lokës, pasi vetë e ka emëruar.

Ai tha gjithashtu se mban përgjegjësi për të dhe ka vlerësimet maksimale për punën e tij. Në lidhje me akuzat e opozitës, ministri ka thënë se nuk iu përgjigjet deklaratave të tyre.

Lidhur me këto deklarata të ministrit të Brendshëm ka reaguar ashpër ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka, e cila deklaroi se Lleshaj është një recidist, por krenar.

Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Caka thekson se Lleshaj shkel ligjin përsëri dhe e reklamon me krenari; Gjovalin Loka ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ligji e ndalon automatikisht të jetë në detyrë shtetërore, aq më tepër në funksione të larta në Policinë e Shtetit.

Mirëpo, thotë ish-ligjvënësja e LSI-së, Lleshaj ashtu si dhe krimi, nuk pyet për ligjin.

Në këtë kuadër, ajo thotë se Sandër Lleshaj nuk ka asnjë ndryshim nga kriminelët ordinerë, për aq kohë sa e shkel ligjin me paramendim.

“Lleshaj, ky recidivist, por krenar! Në protestën e 17 majit, Ministri i Brendshëm Lleshaj pranoi se shkeli ligjin me të dyja këmbët, kur nxori lloj-lloj horrash pa numra identifikimi dhe i shiti si efektivë të Policisë së Shtetit. Lleshaj u justifikua se e bëri me qëllim shkeljen e ligjit, për të shmangur ”hakmarrjen” ndaj policëve… Se kush do hakmerrej ndaj policëve, vetëm Lleshaj e di! Lleshaj shkel ligjin përsëri dhe e reklamon me krenari; Gjovalin Loka ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ligji e ndalon automatikisht të jetë në detyrë shtetërore, aq më tepër në funksione të larta në Policinë e Shtetit. Mirëpo Lleshaj nuk pyet për ligjin! As kriminelët nuk pyesin për ligjin, njësoj si Lleshaj! Shkeljen e ligjit nuk e justifikon asgjë! Lleshaj nuk ka asnjë ndryshim nga kriminelët ordinerë, për aq kohë sa e shkel ligjin me paramendim. Çfarë bën një kriminel në drejtim të Ministrisë së Brendshme? Si mund të jetë normale që Ministri i Brendshëm të shkelë ligjin dhe të mos dojë t’ia dijë fare? Po SPAK-u çfarë bën? Ku jetojmë?”, shprehet ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka.

SHKARKO APP