Caka: Përfundimi i Reformës Zgjedhore na çon në zgjedhje të parakohshme

Për ish-deputeten e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, përfundimi i reformës zgjedhore, do të çojë në zgjedhje të parakohshme.

E ftuar në studion e Report Tv me moderatoren Ina Qirjo, ish-deputetja tha se qëllimi i opozitës së bashkuar, mbetet realizimi i zgjedhjeve të parakohshme. E pyetur nëse LSI bie dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e kthyer me lista të hapura, Caka thotë se nuk është momenti i duhur.

“Varet për çfarë zgjedhjesh flasim. Nëse flasim për zgjedhje të parakohshme nuk ka kohë për një sistem të ri sepse do kohën e tij të implementohet. Nuk është koha për të provuar sisteme të reja. Ne e kemi proklamuar gjatë gjithë kohës, është qëllimi i opozitës për zgjedhje të parakohshme. Unë besoj se përfundimi i reformës zgjedhore do të çojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Caka.

A ka pika që e ndajnë opozitën e bashkuar sa i përket reformës zgjedhore?

Silva Caka thotë në Report Tv se të gjitha qëndrimet e ndryshme tashmë janë konkluduar në një draft të vetëm, të cilin opozita shumë shpejt do ta publikojë. Kujtojmë se opozita jo parlamentare ka punuar paralelisht me komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, me ekspertët e saj për të dalë me një draft.

“Nuk ka pika që të na ndajnë. Mbledhja e sotme e aleatëve do të japë finalen, duke adresuar të gjitha rekomandimet e Bundestagut. Janari do të sjellë një produkt përfundimtar. Një material i përfunduar ka qenë në nëntor, dhe janari do të konturojë gjërat kryesore, financimin e partive, paprekshmëria e votës, etj. Kam parë disa drafte të nxjerra nga grupi i ekspertëve, çështja e financimeve jo se na ndan por ka ide të ndryshme. Ne si LSI mendojmë që partitë politike nuk kanë pse të financohen 100% nga buxheti i shtetit, as në strukturë partitë politike nuk janë ente shtetërore. Kemi pasur qëndrime të ndryshme por jemi në pikën që do të dalim patjetër me një draft të përbashkët. Rruga e përbashkët është përmbushja e 9 kushteve të Bundestagut dhe integrimi i Shqipërisë. Ne nuk shkojmë në axhendën e kryeministrit Edi Rama”, tha Caka e ftuar në Report Tv.

Përse opozita mori vendimin për largimin nga Parlamenti, duke hequr dorë rrjedhimisht edhe nga kontributi i saj për reformën zgjedhore, pas largimit nga komisioni i posaçëm, Silva Caka jep këtë përgjigje: Nuk mund të jemi kontrurë i një tepsie që Edi Rama e ka vetëm për vete edhe njerëzit e tij, kjo solli edhe djegien e mandateve. Ne ishim në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, por nuk mund të pranonim që opozita të përdorej si kukull. Gjithmonë është tentuar të thirret vetëm një palë, duke lënë pjesën tjetër jashtë.

SHKARKO APP