Çako flet me teza patriotike pas tërmetit: Forcat tona treguan përgatitje, kush e përbuz punën e tyre s’është shqiptar
Gati një muaj para tërmetit të 26 nëntorit, emergjencat Civile të Shqipërisë kanë organizuar një stërvitje me partnerët e huaj pikërisht për mënyrën se si duhet reaguar në situata tërmeti.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako u shpreh në studion e Ora News se të gjitha strukturat kanë reaguar menjëherë në momentin e tërmetit të 26 nëntorit, duke ndihmuar njerëzit që u gjendën nën rrënoja.
“Funksionimi i të gjitha strukturave tona dhe investimi i qeverisë shqiptare ka qenë mëse konkret. Ne në muajin tetor kemi organizuar mbi bazën e këtij ligji, por edhe aktesh të tjera një stërvitje pikërisht me një skenar për tërmetet bashkë me partnerët tanë kryesorë. Ajo ishte një stërvitje që përkonte pikërisht me rriskun që ne kemi për çështjen e tërmeteve”, u shpreh Çako.
I pyetur në lidhje me akuzat se forcat e ndërhyrjes kishin mungesë pajisjesh gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, Çako tha se e vërteta është që të gjitha strukturat operacionale, qofshin strukturat e Forcave të Armatosura, qofshin ato të policisë, të shëndetësisë, kanë përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.
“Nuk është e vërtetë që forcat e mbrojtjes nga zjarri kanë qenë pa kokore, pa mjete. Le t’i kthejnë pamjet filmike dhe të gjithë kontributin e këtyre njerëzve. Kanë qenë 38 jetë njerëzish që u shpëtuan nga këto forca. Ato kanë qenë po kaq aktive sa edhe heronj. Kush fyen dhe përbuz punën dhe kontributin e tyre, jo vetëm që nuk është shqiptar, por nuk është as realist, nuk ka as dashamirësinë më minimale”, tha Çako.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako tha se në vëmendjen maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë dhe janë edhe dëmet e tërmetit të 21 shtatorit.
“Jemi në proces ndërtimi nga e para të 233 banesave të 21 shtatorit”, u shpreh Çako, sipas të cilit kompanitë janë duke punuar për përfundimin e tyre.