Çako në Prokurori/ Pajisja nuk është përdorur vetëm për trajnime

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, tashmë i pezulluar nga detyra, ka pranuar para hetuesve se aparatura e përgjimit nuk është përdorur vetëm për trajnime.
AbcNews raportoi sot se pasditen e 17 majit, pra rreth tre javë më parë, kur Haki Çako është marrë në pyetje nga prokurorja, Anisa Qilimi, ka pranuar se kjo pajisje, përveç trajnimit, është përdorur nga forcat operacionale të policisë për gjurmimin dhe identifikimin e numrave të telefonit të personave me rrëzikshmëri të lartë shoqërore.
Burimet thanë për ABC, se Çako ka pranuar se me këtë aparaturë është bërë gjurmimi i numrit të telefonit të Vladimir Gjutës dhe më pas arrestimi i tij në rrugën e kombit. Por ky veprim hetimor ndaj Gjutës, me këtë pajisje përgjimi, burimet thonë se është kryer pa miratimin e prokurorit.
Përveç këtij rasti, që Çako e ka deklaruar para hetuesve, ai ka thënë se po me ndihmën e kësaj pajisje janë arrestuar edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoheshin.
Për prokurorët, ky pohim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tregon edhe njëherë se pajisja është përdorur për gjurmime dhe identifikim të numrave të IMEI pa lejen e prokurorisë dhe në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, në dosjen e prokurorisë thuhet se në datën 9 maj, Çako, nëpërmjet një shkrese të dërguar pranë prokurorisë, ka konfirmuar se ka hyrë në Shqipëri një aparaturë e quajtur “IMSI Catcher”. Në këtë shkresë, në pikën dy, është shkruar se kjo aparaturë është sjellë nga specialistët e policisë italiane në kuadër të bashkëpunimit me policinë e shtetit për trajnime. Dhe në pikën tre, sipas burimeve të prokurorisë, është shkruar se kjo pajisje shërben gjithashtu për të identifikuar numrat IMEI, por nuk shërben për përgjim.
Tetë ditë më pas, thuhet në dosje, gjatë marrjes në pyetje në prokurori, Çako ka thënë se aparati IMSI Catcher është në gjendje të identifikoj numrat IMEI të çdo aparati telefonik dhe se nuk ka asnjë dijeni për regjistrimin doganor të hyrjes së kësaj pajisje. Edhe pse ligji e ngarkon atë për të marrë masa për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”.
Kjo pajisje, thuhet në dosje, ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm në bazë të legjislacionit doganor dhe pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. ABC NEWS

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?