Çako për zjarret: Kemi kapacitete më të mëdha se kurrë, por temperaturat rrisin rrezikun
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se shërbimet zjarrfikëse në Shqipëri disponojnë aktualisht pajisje dhe kapacitete më të avancuara se më parë për përballimin e situatave emergjente.
Çako u shpreh se përdorimi i mjeteve tradicionale, si lopatat, është pjesë e ndërhyrjeve në terren dhe nuk përbën shqetësim, pasi ato përdoren sipas nevojave të situatës. Ai paralajmëroi se muaji gusht pritet të shënojë rritjen më të madhe të temperaturave ekstreme, duke sjellë edhe një rrezik më të lartë për përhapjen e zjarreve, për shkak të tharjes së bimësisë.
“Gjatë këtij muaji pritet kulmi i temperaturave dhe për pasojë rritet mundësia për zjarre masive, pasi edhe gjelbërimi thahet më shumë”, deklaroi Çako. Duke folur për situatën konkrete në terren, kreu i AKMC bëri me dije se zjarri në fshatin Riban të Mallakastrës është neutralizuar dhe ndodhet nën kontroll. Në operacion morën pjesë forca zjarrfikëse nga Mallakastra dhe zonat përreth, ndërsa ndërhyrja u mbështet edhe nga ajri me helikopterë.
Sipas Çakos, deri më tani autoritetet shqiptare kanë arritur të menaxhojnë me sukses vatrat e zjarrit në vend. Megjithatë, ai theksoi se në rast të përkeqësimit të situatës dhe përballjes me zjarre me përmasa të mëdha, Shqipëria mund të kërkojë edhe asistencë ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

