Carlo Acutis, Shenjtori më i ri i Kishës dhe Dëshmitar i Besimit në epokën digjitale që pritet të kanonizohet më 7 shtator 2025
Më 7 shtator 2025, Kisha Katolike do të ketë gëzimin e madh të shpalljes shenjt të një të riu që ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare, por që la pas një dritë dhe një dëshmi të jashtëzakonshme, Carlo Acutis. Së bashku me të Lumturin, Pier Giorgio Frassati, ai do të vendoset ndërmjet shenjtorëve, duke u bërë kështu shenjtori më i ri në moshë i kohëve moderne dhe një model i papërsëritshëm për brezat e rinj.
Carlo Acutis lindi në Londër në vitin 1991 dhe u rrit në Milano. Ishte një adoleshent si të gjithë të tjerët, por me një pasion të thellë për Jezusin dhe një dashuri të veçantë për Eukaristinë. Në një kohë kur bota e të rinjve shpesh duket e zhytur në virtualitet pa horizonte shpirtërore, Carlo e përdori teknologjinë për të përhapur bukurinë e fesë, krijoi faqe interneti, hartoi ekspozita mbi mrekullitë eukaristike, ndihmoi shokët e tij në projekte vullnetare dhe rrezatonte gjithnjë gëzim e dashamirësi.
Siç kujton At Arturo Elberti, jezuit dhe këshilltar teolog i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Carlo ishte një “djalë i përkushtuar shpirtërisht, me një prirje të gëzueshme”, i cili e vendosi zemrën e tij në dy shtylla të palëkundura, Eukaristia dhe dashuria për Zojën. Ai merrte pjesë çdo ditë në Meshë, adhuronte Krishtin në Tabernakull dhe thoshte çdo ditë Rruzaren, duke ia kushtuar jetën e tij Nënës Qiellore.
Në shtator 2006, një sëmundje e papritur, leuçemia akute M3, e goditi rëndë. Megjithatë, Carlo ruajti qetësinë, buzëqeshjen dhe besimin deri në çastet e fundit. “Nga Misteri i Eukaristisë mësoj të kuptoj dashurinë e pafundme të Zotit për çdo njeri,” pati thënë ai. Më 12 tetor 2006, në moshën vetëm 15 vjeç, ai u kthye tek Zoti, duke lënë pas një shembull që ndez zemrat e shumëkujt.
Në vitin 2020, Carlo u shpall i Lum në Asizi, vendin e Shën Françeskut që ai e adhuronte. Tani, pas njohjes së një mrekullie të dytë, Papa Françesku ka miratuar kanonizimin e tij. Carlo Acutis nuk ishte një teolog, as një Doktor i Kishës, ai ishte një adoleshent, një nxënës, një mik që thjesht jetoi me gëzim Ungjillin, duke e bërë fenë pjesë të çdo dite të tij. Pikërisht këtë do të na kujtojë Kisha më 7 shtator 2025: edhe sot, të rinjtë mund ta jetojnë fenë e tyre në mënyrë të plotë, të bukur dhe të gjallë.
Duke e parë jetën e tij, ne shohim se shenjtëria nuk është larg nesh. Ajo gjendet në çdo gjest dashurie, në çdo orë adhurimi, në çdo lutje të thjeshtë. Carlo është një shenjtor që na buzëqesh nga moshatarët tanë, nga bota jonë digjitale, për të na thënë:
“Të gjithë lindin si origjinalë, por shumë vdesin si fotokopje. Mos u bëj një fotokopje! Jeto si shenjt!”
Carlo Acutis, Dëshmitar i fesë dhe Shenjtori i të rinjve të epokës digjitale, na fton të gjithëve të guxojmë të jemi të vërtetë, të guxojmë të jemi të Zotit.
Përgatiti: Albert Vataj
https://www.vaticannews.va/sq/vatikani/news/2025-07/carlo-acutis-deshmitar-i-fese-sepse-e-deshi-me-gjithe-zemer-je.html
KOHA JONË SONDAZH

