Carlo Bollino: Andrea, ti mbete gjithnjë i njëjti
Gazetari dhe botuesi Carlo Bollino ka shprehur sot dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të publicistit Andrea Stefani. Në një mesazh në Facebook ai sjell kujtime nga njohja e parë me Andrea Stefanin.
Postimi i Carlo Bollinos në Facebook:
“I dashur Andrea, të njoha kur sapo kisha mbërritur në Shqipëri, 23 vjet më parë, dhe ti doje të bëheshe gazetar. Bashkë me ty, Armand Mero, Fatos Baxhakun, Edmond Laçin, Bajram Peçin, hapëm “Gazetën Shqiptare”. Ishte viti 1993.
Ti merreshe me ekonominë dhe tregove menjëherë një talent të spikatur kritik, së bashku me dëshirën për të mësuar, për t’u rritur e, mbi të gjitha, për të kuptuar, që më pas të bënë njërin prej analistëve më të kthjellët të këtij vendi.
Jo gjithnjë kemi patur të njëjtat mendime, por korrektesa tënde dhe papërkulshmëria jote morale të bënë një figurë tepër të rrallë të gazetarisë shqiptare. Rrugët tona profesionale u ndanë dhe më pas u ribashkuan e sërish u ndanë, sepse kështu ndodh në zanatin tonë, por gjithnjë, sa herë që takoheshim, flisnim me njeri-tjetrin si në kohën kur punonim bashkë, me të njejtin entusiazëm, me të njejtën të qeshur ironike, me të njëjtin belbëzim të lehtë. Ti mbete gjithnjë i njejti: reflektues, studioz, anarkist, kontestues dhe, si të gjithë njerëzit inteligjentë, i vetëm me dashje”.
KOHA JONË SONDAZH

