Çdo natë në Tiranë dhjetëra shtetas në Polici

 

A dini gjë, mos ka urdhër për gjendje të jashtëzakonshme pas orës 23:00…?

Policia e Tiranës vijon të ndalojë pa shkak të rinjtë në kryeqytet të cilët gjenden në rrugë pas orës 23:00.

Me urdhër nga “lart”, efektivët e policisë, po zbatojnë me përpikmëri strategjinë për të krijuar terror tek të rinjtë, duke i ndaluar me pretekstin e kontrollit të mjetit të identifikimit, por sipas informacioneve kanë përfunduar nëpër komisariate edhe personat të cilët e kanë pasur.

Rasti në fjalë ka ndodhur në komisariatin nr.4 të Tiranës, por nga raportimet e qytetarëve mësohet se edhe në komisariatet e tjera është ndjekur e njejta strategji.

Burime për “citynews” kanë bërë me dije se, policia e kryeqytetit ndalon çdo ditë me dhjetëra të rinj, të cilët përfundojnë në komisariat pa arsye.

Më pas, në kushte të vështira, në një qeli të vogël dhe të ftohtë, futen mbi 30 persona, të cilët qëndrojnë aty në këmbë për gati 8 orë.

Gjatë kohës së qëndrimit në komisariatet përkatëse të kryeqytetit, presioni ndaj të rinjve shtohet edhe më shumë, duke i trajtuar ata si kriminelë.

Nëse dikush i kërkon policit arsyen e ndalimit, përgjigja e tyre justifikohet me pretekstin e procedurave të verifikimit. Më shumë se gjysma e të ndaluarve e dispononin një document identifikimi dhe përsëri janë të detyruar të kalojnë 8 orë në kushte të vështira në komisariate.

Gjithashtu, ka pasur raste kur disa nga të ndaluarit kanë ngritur zërin për këtë padrejtësi që po u kryhet, por kjo i ka shkuar për keq, sepse uniformat blu kanë shfrytëzuar dhomat e izolimit, duke përdorur dhunën ndaj tyre.

Një nga arsyet e këtyre ndalimeve pa shkak është edhe plotësimi i statistikave, ku policia nxjerr një përfundim e më pas e bën publike në media, duke na servirur efektivitetin e policisë në parandalimin e krimit./citynews/

SHKARKO APP