Çela: Rritet kultivimi i kanabisit në 4 qarqe, asnjë dokument nga policia
Kanabisi në Shqipëri vijon të kultivohet. Kryeprokurori Olsian Çela gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, i’u përgjigj deputetit Fatmir Xhafaj për shkaqet e këtij fenomeni, nënvizoi mungesën e bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.
“Ky është një fenomen në disa qarqe. Kemi vënë re një rritje të kultivimit të kanabisit në qarqet në Krujë, Vlorë, Gjirokastër, ndoshta Shkodra ku problemet janë konstante. Pse ka ndodhur kjo rritje e fenomenit? Në fakt do bëj një analizë paraprake jo vetëm brenda strukturës së Prokurorisë por edhe Policisë së Shtetit, për të kuptuar cilat kanë qenë masat parandaluese nga ana e tyre në këto qarqe. Cila ka qenë përgjigja e Prokurorisë në raport me referimet që kanë bërë dhe si ka qenë efikasiteti i bashkëpunimit mes Prokurorisë përgjatë vitit 2019? E them këtë sepse janë pikërisht këto elementë që nga analiza që zhvillova në rrethet gjyqësore ua kërkova prokurorëve që ti evidentonin dhe të cilat nuk ishin evidentuar. Nuk ka sot një dokument zyrtar të përpiluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për të analizuar shkaqet se pse ka ndodhur”.
Informaliteti është muri i dytë që është ngritur në punën e përditshme të prokurorisë. Kjo pengesë vështirëson hetimin e pastrimit të parave-nënvizoi kryeprokurori.
”Ka të bëjë me nivelin e lartë të informalitetit në vendin tonë. Ky nivel informaliteti e bën të vështirë hetimin efikas. Ka të bëjë me një sistem trajnimi jo efikas të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Nuk kemi sot një analizë të saktë se prokurorët dhe oficerët që janë të angazhuar sa trajnime kanë marrë. Përse nuk arrijmë që kontributin që sjellin trajnimet ta kthejmë në rezultate konkrete? Nuk u kemi dhënë asnjëherë përgjigje se nuk i kemi bërë ndonjëherë këto pyetje. Ne vazhdojmë të kemi probleme serioze. Mënyra si ka vlerësuar sistemi gjyqësor hetimet e prokurorisë, nuk kemi pasur praktika të unifikuara. Kjo ka krijuar konfuzion”.