Celet sot në Tiranë Panairi, “Medical Expo”

Për herë të parë në Shqipëri vjen organizimi i panairit ndërkombëtar të mjekësisë “MEDICAL EXPO”, nga datat 19-21 mars nga Tirana Expo Centre me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me tematikë “Promovimi i shëndetësisë dhe industrisë shëndetësore”.

Për 3 ditë me rradhë, duke filluar nga sot rreth 60 subjekte private nga vendi dhe rajoni do të promovojnë shërbimet e tyre dhe zhvillimet më të reja teknologjike në këtë sektor. Nëpërmjet pjesëmarrësve dhe aktorëve të ndryshëm, panairi synon të nxjerrë në pah strukturën dhe organizimin e sektorit shëndetësor, efektivitetin e tij dhe politikat e zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori.

Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve gjatë ditëve të panairit do të jenë edhe konferencat mjekësore me pjesëmarrjen e referuesve shqiptar edhe të huaj, ku do të diskutohen tema të caktuara mbi arritjet dhe sfidat që ka shëndetësia në Shqipëri.

Do të jenë 3 ditë impenjuese për pjesëmarrësit dhe absolutisht të dobishme për qytetarët, të cilët përveç informimit mbi këtë sektor në vendin tonë, do t’ju ofrohen falas edhe shumë shërbime mjekësore.

Për t’u evidentuar është fakti se ky panair do të shërbejë edhe si një mundësi ndërgjegjësimi mbi problematika të caktuara sikurse është ai i dhurimit të gjakut, ku organizatorët në bashkëpunim me Bankën e Gjakut do të mundësojnë për këdo që dëshiron të dhurojë gjak të mund të jap një kontribut sado modest.

Ndërkohë pjesë e ativiteteve do të jenë fushatat e ndërgjegjësimit mbi fëmijët që vuajnë nga sindroma “Down” dhe individëve me aftësi të kufizuara. Panairi “MEDICAL EXPO”, i cili zhvillohet në qendrën e panaireve Tirana Expo Centre, hapet sot në orën 19:00 me një ceremoni të përgatitur ku të ftuar do të jenë të gjithë ata që operojnë në fushën e mjekësisë dhe do të përfundojë në datën 21 mars.

SHKARKO APP