Celibashi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Rregulla të reja për aktivitetet dhe komunikimin institucional
5 propozime për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve administrative në zgjedhje. Në tryezën teknike të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, kërkoi ndryshime në Kodin Zgjedhor për të forcuar ndarjen mes shtetit dhe partisë në pushtet. Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe shkrirja e vijës ndarëse mes shtetit dhe partisë në pushtet, të evidentuara si problematikat kryesore në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it, kërkojnë një adresim të menjëhershëm. Ky është vlerësimi i kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Ai kërkon që reforma e ardhshme zgjedhore të forcojë garancitë ligjore në këtë drejtim dhe u paraqet palëve politike pesë propozime konkrete.
“Ky nocion duhet të përfshijë fondet publike, asetet publike, automjetet shtetërore, ndërtesat publike, personelin e administratës, sistemet elektronike të institucioneve, bazat shtetërore të të dhënave, faqet zyrtare të institucioneve publike dhe funksionarëve, platformat institucionale në rrjetet sociale, fushatat e komunikimit publik, aktivitetet ceremoniale, programet publike dhe çdo autoritet tjetër institucional që rrjedh nga ushtrimi i funksionit publik. Një përkufizim i tillë duhet të vendoset drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor dhe jo të jetë pjesë e akteve nënligjore”,-tha Ilirjan Celibashi.
Celibashi kërkon gjithashtu që Kodi i ri Zgjedhor të sanksionojë qartë parimin e ndarjes mes shtetit dhe partisë në pushtet. “Në shumë vende të OSBE-së ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore. Edhe në legjislacionin shqiptar duhet të ecet në këtë drejtim. Një dispozitë e tillë do të shërbente si normë bazë mbi të cilën do të ndërtohej i gjithë sistemi i kontrollit administrativ”,-shtoi ai. Edhe pse Kodi Zgjedhor parashikon një moratorium katërmujor për ndalimin e promovimit të disa veprimtarive publike që mund të krijojnë avantazh për partinë në pushtet, Celibashi kërkon që kufijtë e këtyre aktiviteteve të përcaktohen edhe më qartë.
“Të përcaktohet qartë se gjatë periudhës zgjedhore, përveç rasteve të domosdoshme për interes publik ose emergjencave, nuk lejohen inaugurimet e veprave publike, ceremonitë promovuese të investimeve publike, aktivitetet për prezantimin e projekteve të reja të financuara nga buxheti i shtetit, shpallja e skemave të reja të subvencioneve apo granteve, si dhe shpërndarja ceremoniale e akteve administrative individuale, kur kjo nuk diktohet nga detyrime ligjore ose afate të pashmangshme. Gjithashtu, duhet të ketë parashikime që ndalojnë publikimin e veprimtarisë së institucioneve publike gjatë një periudhe të caktuar, me përjashtim të rasteve kur kjo ka për qëllim informimin e publikut për një çështje konkrete”,-tha kreu i KQZ-së
KOHA JONË SONDAZH

