Ceremonia e Inaugurimit të Presidentit Trump u festua edhe në Shqipëri
Klubi i Miqve Republikanë, Shqipëri, organizoi një event në Tiranë me rastin e inaugurimit të Presidentit të 45-të të SHBA Donald J. Trump. Me dhjetra anëtarë e miq të Klubit u mblodhën së bashku dhe shijuan ceremoninë e inaugurimit, dhe padyshim, betimin dhe fjalimin e Presidentit të ri.
Me President Dr. Bledar Kurti, Klubi është krijuar me 30 Shtator 2016, në mbështetje të Donald J. Trump në garën e tij presidenciale, si edhe në promovimin e vlerave të republikanizmit. Pas fitores, Klubi i dërgoi një letër urimi Presidentit Amerikan Donald Trump. Kjo është përmbajtja e letrës;
15 Nëntor, 2016
Drejtuar Sh.T. Donald J. Trump
Presidenti i Zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
I nderuar Z. Trump,
Në emër të Klubit të Miqve Republikanë Shqipëri, Ju lutemi të pranoni urimet tona më të ngrohta dhe të përzemërta për zgjedhjen Tuaj në detyrën e Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara.
Ne jemi mëse të sigurtë që nën Presidencën Tuaj, Amerika do jetë më madhështore se kurrë, dhe do të vazhdojë të frymëzojë të gjitha kombet e botës, duke promovuar parimet e demokracisë, dhe duke shpërndarë vlerat e republikanizmit dhe ato universale të cilat janë themelet ku janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara.
Populli shqiptar beson në atë çfarë Shetet e Bashkuara përfaqësojnë dhe kemi një vlerësim dhe respekt të lartë për marrëdhëniet e ngushta dhe tejet miqësore midis kombeve tona. Ne si Klubi i Miqve Republikanë Shqipëri kemi besim të plotë që marrëdhëniet miqësore dhe të ngushta midis vendeve tona do forcohen edhe më shumë nën Presidencën dhe lidershipin Tuaj.
Ka qenë një privilegj për ne të promovojmë në Shqipëri kandidimin Tuaj, dhe do jetë një privilegj edhe më i madh të jemi dëshmitarë të drejtimit Tuaj historik si në Amerikë ashtu edhe përtej saj.
Zgjedhja Juaj si Presidenti I 45-të i Shteteve të Bashkuara është një moment tejet premtues për Amerikën dhe të gjitha vendet e tjera në mbarë globin.
Bota ka hyrë në një epokë të re, por ashtu siç e ka shprehur edhe Presidenti Abraham Lincoln: “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë.” Ne besojmë që Ju, Z. President, do krijoni një të ardhme të re, më të mirë dhe më të sigurtë për Shetetet e Bashkuara dhe të gjithë botën mbarë.
Me respekt!
Klubi i Miqve Republikanë, Shqipëri
Klubi i Miqve Republikanë Shqipëri ka si qëllim promovimin e vlerave Republikane.
Pjesë e këtij klubi janë si figura politikE, akademikë, studentë, sipërmarrës, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë të cilët synojnë të ngrejnë debate mbi vlerat e republikanizmit dhe ceshtjet kryesore të botës dhe Shqipërisë. Shtetet e bashkuara kanë një politikë dy partiake dhe nuk janë tërësisht të krahasueshme me partitë e vendeve të tjera ndaj ky Klub mirëpret këdo që ndan parimet dhe vlerat e republikanizmit,
Republican Friends Club Albania është krijuar me qëllim promovimin në Shqipëri të parimeve, vlerave dhe politikave Republikane. Ky Klub promovon kandidatët dhe të zgjedhurit e tjerë Republikanë tek nënshtetasit amerikanë të cilët kanë rezidencë në Shqipëri, dhe ndan e promovon vlerat Republikane në mbarë shoqërinë shqiptare në tërësi.
Klubi e zhvillon punën e tij:
– Duke nxitur diskutime politike përmes aktiviteteve, editorialeve, debateve, paneleve, blogjeve, dhe medias së re.
– Organizimin e konferencave kumtuese për të ftuar të rëndësishëm republikanë ose mbi politikat dhe parimet republikane.
– Krijimin e rrjeteve sociale dhe komunikimi me universitete, personalitete me influencë, politikanë, organizata dhe forume të ndryshme.
– Vizita dhe pjesëmarrje në konferenca republikane.
– Organizim fushata në mbështetje për kandidatët republikanë amerikanë.
Klubi shërben si shtëpia e të gjithë nënshtetasve republikanë amerikanë të cilët kanë rezidencën në Shqipëri, si edhe për të gjithë intelektualët shqiptarë, studentët, libertianët e devotshëm, avokatët e pro-jetës dhe traditës së familjes, sipërmarrësit, ata të cilët besojnë në parimet dhe vlerat republikane, dhe të qeverisjes së mirë.

