Çështja “Doshi”, deputetët Paloka, Vasili dhe Braho paraqiten në prokurori

Në harkun kohor të 10 minutave, pasditen e sotme, nga ora 18:30 deri në 18:40, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë mbërritur për të dëshmuar, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, ai i LSI-së, Petrit Vasili dhe kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Petrit Vasili është larguar vetë 30 minuta pas hyrjes në Prokurori, duke mos dhënë asnjë deklaratë. Braho i cili u paraqit i fundit në Prokurori u ndal për një moment para medieve. Ai kishte premtuar se do të sillte një video tjetër si provë, dhe u përgjigj me shaka dhe ironi se ka sjellë një tjetër dëshmitar të penduar, i cili i ka ai videot. – “Ua solla…E patë se me kë erdha? Erdha me një të penduar tjetër. Ai i ka marrë të gjitha videot.” Ndërkohë u mësua se Spartak Braho ishte i shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga aktori Besart Kallaku. Ky i fundit është paraqitur me anë të një video humori, që qarkulloi ditët e fundit në rrjete sociale, ku pretendonte se i ishin afruar para që të kryente atentatet ndaj rreth 20 politikanëve të dy kampeve, për interesa të ndryshme.  Gjithsesi, pas daljes nga prokuroria Braho ka deklaruar se posedon prova filmike të cilat e rrëzojnë dhe hedhin poshtë versionin tashmë të bërë publik nga deputeti Tom Doshi, në lidhje me një komplot për eleminimin fizik të tij dhe Mhill Fufit. Hetimet nga ana e prokurorisë vazhdojnë teksa deri tani janë thirrur dhe kanë dëshmuar edhe krerët më të lartë të politikës, si kryeministri Edi Rama, krye-parlamentari Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha etj.  

SHKARKO APP