Çështja “Doshi”, Mark Frroku merret në pyetje nga spitali

Deputeti Tom Doshi dëshmoi dje në ambientet ne Prokurorisë mbi akuzat që i janë ngritur, ndërsa sot ishte radha e deputetit tjetër të qarkut Shkodër, Mark Frroku, i cili ndodhet i shtruar në spital. Hetuesit  sot rreth orës 08.30, “e vizituan” në ambientet e spitalit nisi marrja në pyetje e deputetit Mark Frroku. Për rreth 30 minuta ai u pyet në lidhje me çështjen “Doshi”, ku së bashku me deputetin tjetër të zonës së Shkodrës, janë në cilësinë e personave nën hetim për akuzën e kallzimit të rremë. Mëngjesin e sotëm, në  ambientet e spitalit privat ku Frroku që prej dy ditësh gjendet i shtruar pasi shfaqi disa probleme me zemrën dhe la qelinë, ka shkuar oficeri i policisë gjyqësore Arjan Muça, i cili e mori në pyetje, në prani edhe të dy avokatëve të tij mbrojtës; Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj. Frroku mësohet se nuk ka pranuar që të japë shpjegime të mëtejshme në  lidhje me çështjen “Doshi”, duke deklaruar se çfarë ka pasur për të dëshmuar e ka thënë më parë gjate seancave të marrjes në  pyetje.  Nga burime pranë organit të akuzës mësohet se hetimet në lidhje me çështjen “Doshi” po shkojnë drejt përfundimit, dhe pritet qe deri në  fund të muajit kjo dosje të mbyllet.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të deputetit Mark Frroku, mësohet se ai mund t’i nënshtrohet një ndërhyrje koronare. Ambienti ku është i shtruar deputeti, ruhet nga forca policore për shkak të masës së sigurisë që atij i është dhënë më parë, “burg pa afat”.

Në përfundim të seancës së sotme gjatë marrjes në pyetje avokatët e Mark Frrokut deklaruan se mbi çështjen tjetër në ngarkim të tij, atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit, ngjarje e ndodhur në vitin 99 në Belgjikë, ende nuk ka mbërritur ndonjë shkresë nga Prokuroria për këtë akuzë.

SHKARKO APP