“Çështja e Teatrit”, Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e presidencës për prova shtesë
Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar sot seancën e dytë gjyqësore sa i takon shqyrtimit kërkesës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në lidhje me ligjin për Teatrin Kombetar, por edhe për shembjen e këtij institucioni në maj të vitit të kaluar.
Mësohet se Gjykata ka pranuar zgjerimin e objektit të hetimit, ndërsa është shprehur se i ka dhënë kohë qeverisë për të sjellë dokumentet.
“I dhamë kohë qeverisë për të sjellë dokumente. Nuk i sollën në afatet e përcaktuara nga gjykata. Edhe Presidencës ia kemi përcjellë jashtë afatit. Tërheqim vëmendjen e të gjithëve për mosrespektimin e afateve”, ka thënë gjykatësi-relator.
Ndërkohë, nga ana tjetër, këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, ka thënë se nuk janë administruar të gjitha provat që ka kërkuar Presidenti i Republikës.
“Rezulton se nuk janë administruar të gjitha provat që kërkoi Presidenti i Republikës”, tha Dervishaj.
Mësohet se seanca është shtyrë për ditën e nesërme në orën 10:00, pasi anëtarët e Kushtetueses kanë pranuar të administrojnë si provë vendimin e Këshillit Bashkiak, për prishjen e Teatrit.