“Çështja” Mark Frroku në Kushtetuese, për pjesëmarrjen në Kuvend

Në të njëjtën ditë kur u vendos heqja e masës së arrestit shtëpiak për deputetin Tom Doshi, edhe një tjetër deputet që mbahet i izoluar në qeli, Mark Frroku, kërkon lirinë dhe pjesëmarrjen në seancat plenare. Avokatët e deputetit Mark Frroku i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar lirimin e tij dhe lejimin e pjesëmarrjes në aktivitetin parlamentar si deputet. Në kërkesën drejtuar organit më të lartë të drejtësisë në vend, avokatet mbrojtës Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj kërkojnë interpretimin e nenit 71, pika 2 e Kushtetutës, në lidhje me vlefshmërinë e mandatit të deputetit Mark Frroku dhe me lejimin për pjesëmarrjen e tij në punimet e Kuvendit. Sipas avokatëve deputeti ka mandat, por është me mase sigurimi “arrest ne burg” apo “arrest shtëpie”, dhe për sa kohë nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, ka të drejtë të marrë pjesë në seanca plenare apo në mbledhjet e komisioneve parlamentare në Kuvend. Ndaj deputetit Mark Frroku është caktuar masa arrest me burg që më 2 prill, pas caktimit të kësaj mase nga Gjykata e Lartë me kërkesë të prokurorisë,  pasi akuzohet për një vepër penale për të cilën dyshohet se ka qenë edhe ai i përfshirë vite më parë në Belgjikë.

SHKARKO APP