Çfarë do Kina nga Afganistani pas marrjes së pushtetit nga talibanët?
Marrja e papritur e Afganistanit nga talibanët, para tërheqjes së trupave amerikane nga vendi, ka bërë që Kina të përballet me një përzierje të mundësive dhe rreziqeve, teksa përgatitet të merret me pushtetarët e rinj në Kabul.
Vetëm disa orë pasi talibanët morën nën kontroll kryeqytetin afgan, Kabul, Ministria e Jashtme kineze reagoi duke thënë se Pekini ishte i gatshëm për “bashkëpunim miqësor”me Afganistanin dhe kishte në plan që të ketë “rol konstruktiv” në rindërtimin e shtetit të shkatërruar nga lufta.
“Në bazë të respektimit të plotë të sovranitetit të Afganistanit dhe të vullnetit të të gjitha fraksioneve në vend, Kina ka mbajtur kontakt dhe komunikim me talibanët afganë dhe ka luajtur rol konstruktiv në promovimin e arritjes së një zgjidhjeje politike për çështjen afgane”, tha më 16 gusht, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.
Skenat kaotike nga Kabuli, ku po vazhdojnë evakuimet e qytetarëve nga forcat e Perëndimit, gjithashtu shkojnë në favor të propagandistëve kinezë, ku media shtetërore po përdor këto imazhe për të çuar përpara narrativin tek audienca vendore dhe ndërkombëtare për rënien e Amerikës dhe për mosbesimin ndaj Uashingtonit.
Por, shtrirja diplomatike në Kabul dhe kënaqësia që Pekini ndien nga tërheqja e SHBA-së, si dhe evakuimi i ngadalshëm, fshehin pas vetes një pasiguri të madhe me të cilin Kina përballet në Afganistan, derisa përpiqet që të përgatisë një hartë gjeopolitike, të rimodeluar dhe një epokë të re të rreziqeve të sigurisë në Azinë Jugore dhe Qendrore, pas fitores ushtarake të talibanëve.
Top prioritetet e Pekinit
Kina ndan kufirin prej 76 kilometrash me Afganistanin dhe ka pasur një qasje më të relaksuar karshi fqinjit të saj, edhe pse tërheqja ushtarake e SHBA-së dhe rënia e Qeverisë afgane, pritet që ta ndryshojnë qasjen e Pekinit.
Pekini ka interesa ekonomike në Afganistan, veçanërisht në pasurinë e madhe minerare që ka ky shtet, por interesi kryesor i Kinës është që konflikti të mos përhapet përtej kufijve të Afganistanit.
Në qendër të këtyre shqetësimeve është sesi të frenohet paqëndrueshmëria në rajon dhe të eliminohet çdo potencial që Afganistani të bëhet strehë e sigurt për grupet terroriste, përfshirë militantët ujgurë që janë në këtë shtet. Një test i hershëm për epokën e re të raporteve mes talibanëve dhe Kinës do të jetë nëse militantët do të ndalojnë Lëvizjes Islamike të Turkmenistanit Lindor (ETIM) – një grup ujgur, të cilin Pekini e fajëson për trazira në provincën e tij perëndimore Ksinjiang – që të veprojë në tokën afgane.
Derisa shumë analistë hedhin poshtë shkallën e rrezikut që paraqesin grupet ujgure ndaj Kinës, ato shihen si kërcënim i madh nga Pekini – ku kundërterrorizmi është justifikimi kryesor i Partisë Komuniste kineze për shtypjen që bën në Ksinjiang, ku besohet se ka internuar mbi një milion ujgurë, kazakë dhe pakica të tjera myslimane.
Talibanët janë distancuar nga grupet ujgure dhe ata do të shikohen nga afër edhe nga fuqi të tjera të jashtme – si India, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – nëse grupi militant do të lejojë që Afganistani të përdoret si bazë për operacionet e grupeve terroriste.
Përtej objektivave të ngushtë, Pekini po ashtu po kërkon që të kufizojë ekspozimin e tij në Afganistan. Politkëbërësit kinezë e shohin këtë shtet si një mjedis me rrezik të lartë dhe mbeten më shumë të fokusuar që të kufizojnë rreziqet sesa të shikojnë mundësitë që ofron Afganistani.
Raportet midis Kinës dhe talibanëve
Pekini veçse e ka shtruar rrugën për këtë realitet të ri, kur ministri i Jashtëm, Wang Yi mirëpriti udhëheqësinë e talibanëve në fund të korrikut.
Kina dhe talibanët kanë një raport të ndërlikuar, që daton me dekada. Përderisa të dyja palët nuk i besojnë njëra-tjetrës, Pekini ka rritur angazhimin e tij me militantët që prej vitit 2014 – kjo pjesërisht për shkak të rolit ndërmjetësues të Pakistanit, që është aleat i Kinës dhe mbrojtësi kryesor i talibanëve – dhe të dyja palët kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Kina nuk ka ndonjë pëlqim të veçantë për ndonjë prej fraksioneve politike në Afganistan. Para se të binte Qeveria, Pekini po ashtu kishte raporte të forta pune me Kabulin dhe forcat qeveritare afgane gjithashtu monitoruan dhe shënjestruan grupet militante ujgure me kërkesë të Kinës.
Për aq kohë sa talibanët mund të mbrojnë interesat e Kinës në Afganistan, ata do të jenë në gjendje që të përfitojnë nga bashkëpunimi pragmatik me Kinën.
Nëse talibanët dëshmojnë se ata mund të jenë partnerë më të besueshëm sesa ish-Qeveria afgane që mbështetej nga Perëndimi, sa i përket mbrojtjes së shqetësimeve të sigurisë së Kinsë, Pekini mund të vendosë pas talibanëve muskuj ekonomikë dhe politikë, që ta ndihmojë grupin të fitojë legjitimitetin ndërkombëtar për Qeverinë e re të Afganistanit.
Po burimet afgane?
Afganistani vlerësohet se ka metale të rralla tokësore në vlerë prej triliona dollarësh, që mund të përdoren për gjithçka, nga elektronika deri te makinat elektrike, satelitët e avionët.
Korporata Shtetërore Metalurgjike e Kinës, arriti marrëveshje në vlerë prej 3 miliardë dollarësh më 2008, për të marrë në koncesion për 30 vjet për të kryer shpime në Mes Aynak, një depozitë e madhe e bakrit në Jug të Kabulit. Ndërkaq, Korporata Kombëtare kineze e Naftës ka fituar një tender për fushat e naftës që gjenden në veri të Afganistanit.
Por, këto projekte kanë ngecur për shkak të shqetësimeve të sigurisë, të cilat, me gjasë do të rriten, teksa Afganistani po hyn në një situatë të dobët politike, pas marrjes së Kabulit nga talibanët.
Përderisa Kina do të dëshironte që të shfrytëzonte burimet natyrore fitimprurëse të Afganistanit dhe gjithashtu të zgjeronte ndikimin e saj ekonomik përmes nismës “Brezi dhe Rruga”, një ambient i rëndë i sigurisë nënkupton se këto do të jenë synime afatgjata, për të cilat nuk ka një afat të qartë kohor.
A është triumfi i talibanëve një fitore për Pekinin?
Nuk është kaq e thjeshtë.
Derisa talibanët kanë lënë të kuptohet se kanë vullnet që të bashkëpunojnë me Kinën dhe të ulin shqetësimet e saj, fitorja e tyre ka të ngjarë që do të nënkuptojë më shumë paqëndrueshmëri në Afganistan dhe më gjerë në rajon, qoftë përmes vazhdimit të luftimeve, fluksit të refugjatëve në vendet fqinje ose aktivitetit të shtuar terrorist përgjatë Azisë Qendrore dhe Jugore.
Pekini vazhdon të jetë i kujdesshëm lidhur me shtrirjen në Afganistan të nismës “Brezi dhe Rruga”, por ky projekt i madh infrastrukturor veçse është i rrënjosur thellë në Kazakistan, Kirgizi, Pakistan dhe Taxhikistan. Investimet kineze dhe projektet infrastrukturore në këto shtete kanë qenë një rrugë drejt rritjes së ndikimit të Kinës dhe Kina mbetet e shqetësuar se futja në vakuumin e sigurisë në Afganistan mund të minojë qëllimet e saja më të gjera.
Interesat kineze dhe personeli së fundmi kanë qenë në shënjestër në Pakistan, shtet që është një prej fokuseve të nismës “Brezi dhe Rruga”.
Një autobus që bartte punëtorë kinezë në Pakistan u sulmua me bombë më 14 korrik, duke vrarë 13 persona, nëntë prej të cilëve ishin kinezë dhe ky sulm u është atribuuar sulmuesve që operojnë nga Afganistani.
Kjo ngjarje u pasua nga një sulm tjetër ndaj punëtorëve kinezë në Karaçi më 28 korrik.
Tani për tani, megjithatë, Kina do të shikojë se çfarë qeverie do të formohet në Afganistan dhe nëse talibanët do ta ushtrojnë fuqinë e tyre në gjithë vendin.
Deri më tani, Pekini ka hedhur me sukses bazat për të mbrojtur interesat e tij, por me situatën në Afganistan, që ende është e paqëndrueshme, Kina tash për tash po pret të shohë sesi do të rrjedhin ngjarjet./REL