Çfarë do të bëhet me Irena Gjokën? Avokati Genc Gjokutaj: Vendimi i KLGJ është abuziv
Avokati Genc Gjokutaj analizon vendimin e KLGJ-së, që vendosi me shumicë votash të mos e marrë në shqyrtim nëse gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka duhet të qëndrojë në detyrë. Anëtarët që votuan kundër argumentuan se kur papërshtatshmëria lind pasi gjyqtari e ka marrë statusin e magjistratit, diskutimi duhet të bëhet nga ILD.
”Sot po kuptojmë që këtu nuk është çështja e një gjyqtareje. Sot ne kuptuam që kemi të bëjmë me një sistem që përfaqëson Irena Gjokën dhe një sistem i cili ka bërë të mundur jo vetëm që ajo të vazhdojë detyrën sot, nuk kam gjë me personin fizik Irena Gjoka, por me gjyqtaren e GJKKO-së, e cila ka qenë e dënuar dhe nuk ka deklaruar këtë dënim. Po bëhet një tentativë e madhe në media me pseudojuristë për të thënë që dëshmia e penalitetit në Greqi e zonjës Gjoka Maneku Shpata është e bardhë. Duhet të kemi parasysh që nuk jemi në kushtet e njohjes së një vendimi gjyqësor të huaj, i cili ka pushuar si qenie apo ka mbaruar efektet e tij dhe që ky vendim s’mund të njihet në Shqipëri dhe për rrjedhojë s’mund të ketë efekt.
Ne këtu kemi të bëjmë me një mosdeklarim të gjyqtares së këtij fakti të dënimit dhe vija ndarëse e gjithë kësaj historie që ju dëgjuat sot është viti 2016, sepse ju duhet të dini që shkaku i mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtare ka ekzistuar në vitin 2005. Në vitin 2016 ligji ka kërkuar kushte specifike për të marrë statusin e magjistratit dhe nëse gjyqtarja Irena Gjoka do të deklaronte të gjithë këtë të vërtetë tashmë të vërtetuar jo vetëm nga ne, por nga Prokuroria e Përgjithshme mbi bazën e letërporosisë dhe mbi bazën e hetimit të thelluar që ajo ka bërë, atëherë ne do të kuptojmë shumë thjesht që nëse kjo do t’i bënte prezente këto fakte kjo nuk do ta fitonte statusin e magjistratit.
Vendimi sot i KLGJ-së është abuziv. Nëse do të ishte kompetencë e ILD-së, Prokuroria e Përgjithshme do t’i drejtohej ILD-së dhe do t’ia kërkonte asaj. Dhe sot Komisioni i Karrierës relatues prej katër personash kanë deklaruar dhe kanë kërkuar shkarkimin e kësaj gjyqtareje, pra mbarimin e mandatit të saj, ndërkohë që KLGJ-ja, një nga organet më pa integritet, sot vendos t’ia çojë ILD-së dhe kjo bëhet me qëllim që të shtyhet në kalendra greke kjo çështje dhe hajde ta gjejmë”,-tha në ”A2cnn”.
KOHA JONË SONDAZH

