Çfarë i pret deputetët Tom Doshin dhe Mark Frrokun pas arrestit? Fakte dhe komente

 

Kërkesa e prokurorisë për hetimin e deputetëve Frroku dhe Doshi duhet të kalojë nëpër disa hallka. Fillimisht pas kërkesës së prokurorit të përgjithshëm për kuvendin kjo cështje i kalon si për ironi, Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Sipas nenit 118 të kushtetutës: “Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin”. Kështu Mark Frroku dhe Tom Doshi do të kenë të drejtë të informohen dhe të mbrohen me shkrim e me gojë para këshillit për rregulloren e kuvendit. Pasi ti dëgjojë dy deputetët ky këshill harton një raport që i drejtohet seancës plenare me 140 deputetë. E gjithë kjo procedurë sipas ligjit mund të zgjasë deri në një muaj (në këtë rast mund të procedohet edhe më shpejt). Pasi cështja shqyrtohet me precedencë në seancë, të dy deputetët Frroku dhe Doshi kanë të drejtën të mbrohen para parlamentit ende pa votuar deputetët pro ose kundër arrestimit të tyre. Nëse vota e nxitur nga trysnia e Shba-së do të jetë "pro" të dy deputetëve u vihen menjëherë prangat. Dhe kur cështja të shkojë në gjykatë sipas kodit penal, ata rrezikojnë nga një deri në tre vjet burg për dëshmi të rreme, nga një deri në katër vjet burg për kanosje për dhënien e dëshmisë së rreme dhe nga gjobë deri në një vit burg për gënjeshtër para prokurorit.

 

Kërkesa për arrestim, Frroku e merr vesh te restoranti përballë LSI-së, Doshi në "Sheraton" me Priftin

Deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku nuk janë shprehur ende qartësisht lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tyre. Mark Frroku ka qenë duke drekuar në një restorant përballë selisë së LSI-së kur e ka marrë vesh lajmin dhe i pyetur nga gazetarët ka thënë se “do të reagojë kur të marrë një kërkesë zyrtare nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”. Ndërsa Tom Doshi ka qenë me Dritan Priftin në “Sheraton” dhe pasi ka mbaruar takimin ka thënë “me qetësi, me qetësi”, duke nënkuptuar që do të reagojë në një moment tjetër.

 

Si do të bëhet arrestimi i Doshit e Frrokut dhe sa vite burg rrezikojnë

Pas kërkesës së Prokurororisë për arrestimin e dy deputetëve Frroku e Doshi, është Kuvendi që do të duhet të veprojë. Por si shkohet deri te arrestimi i dy ligjvënësve të parlamentit shqiptar? Kërkesa e organit të akuzës shqyrtohet nga Byroja e Kuvendit, e cila e përfshin më pas në agjendën e punimeve të Kuvendit. Më tej, sipas nenit 13 të rregullores, parashikohet se është Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet që shqyrton ligjshmërinë e kërkesës së Prokurorisë.

Më pas kërkesa, bashkë me relacionin e këtij Këshilli i kalon seancës plenare për votim. Seanca e ardhshme do të jetë të enjten.Por sa vjet burg rrezikon Tom Doshi dhe Mark Frroku? Sipas akuzave të Prokurorisë ata rrezikojnë të dënohen me nga 1 deri në 3 vite burg për akuzën e kallëzimit të rremë, nga një deri në katër vite burg për kanosje për dhënie dëshmie të rreme, si dhe gjobë deri në një vit burg për dëshmi të rreme para prokurorit. Deri më tani, dy deputetët nuk i kanë komentuar akuzat e prokurorisë. Pas kërkesës për arrestimin e tyre, cështja “Doshi” pritet të marrë një kthesë tjetër.

Prokuroria kërkon arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku

Dosja “Doshi” që ka trazuar politikën shqiptare prej disa ditësh pritet të marrë një kthesë tjetër, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon zyrtarisht arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Organi i akuzës kërkon autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë për arrestimin e dy deputetëve. Në një komunikatë publike të Prokurorisë, thuhet se Doshi dhe Frroku dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale: “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”. Prokuroria thotë se kjo cështje është e sajuar nga Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami. Më poshtë lexoni deklaratën e plotë të Prokurorisë:

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetevë të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”,  parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal.

Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentat kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.03.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eleminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër. Në të njëjtën ditë, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka referuar materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.

 Në kuadër të hetimeve për këtë procedim penal, janë pyetur persona që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, kriijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë.

 Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami.

Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a deshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe  “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

SHKARKO APP