Çfarë po ndodh me spitalet? Nis zbrazja e Sanatoriumit, ambientet e premtuara në QSUT në kyç, gazetari: Infektivi plot

Duke filluar nga mëngjesi i ditës së sotme ka nisur zbrazja e Sanatoriumit dhe kthimit i ‘Shefqet Ndroqit’ në spital COVID, për të dytën herë nga 9 marsi.

Lajmi u bë i ditur një ditë më parë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ndërkohë, një ditë më pas nisi zbatimi i këtij vendimi dhe më pas zbrazja e spitalit nga pacientët. Siç u tha edhe më herët, ata do të dërgoheshin për trajtim në spitalin COVID 3 në ish-Kirurgjitë e vjetra, të cilat u investuan nga shteti për t’u bërë spital COVID 3. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për ‘News24’ nga QSUT se ndryshe nga sa deklaroi ministrja e Shëndetësisë, COVID 3, nuk është hapur por vijon që të qëndrojë u mbyllur.

Gazetari tha se një pjesë e pacientëve te Sanatoriumit, konkretisht 14 që janë në gjendje të rënduar, janë shtuar për momentin në repartin e Mjekësisë Interne, mbi Urgjencën qendrore, që ndodhet në katin e 2, në QSUT. Ndërkohë të sëmurët e tjerë, rreth 50 pacientë, kanë qenë në gjendje më të mirë shëndetësore, dhe janë dërguar në shtëpi ku do të trajtohen prej aty me medikamente. Por nga ana tjetër, gazetari raportoi se në Sanatorium, edhe pse i zbrazur thuajse i tëri nga të sëmurët kronikë, nuk ka filluar ende me shtrimin e personave të prekur nga COVID, të cilët edhe gjatë ditës së sotme janë referuar në spitalin infektiv.

Paradoksalisht, në Urgjencën e Infektivit ndodhen një numër i madh personash të diagnostikuar me COVID-19, edhe nga tamponi dhe skaneri, që presin të shtrohen në Sanatorium. Burime nga Sanatoriumi bëjnë me dije se kapacitetet në Infektiv janë ezauruar dhe se atyre iu është komunikuar që mos të sjellin më pacientë në Infektiv. Kujtojmë se ditën e sotme në vendin tonë u regjistruan 96 raste të reja me COVID-19, ndërsa 2 persona ndërruan jetë.

SHKARKO APP