Çifti jetonte i ndarë, por që nuk ishin në proces divorci. Ministrja Koçiu viziton Melisën në spital
45-vjeçari Bledar Trëndafili, i cili i hodhi benzinë dhe më pas i vuri zjarrin bashkëshortes së tij Melisa Trëndafilit 31-vjeçare, vijon që të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit. E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie, ndërsa çifti prej rreth katër muajsh jetonin të ndarë. 45-vjeçari për dëshmitarët njihej si një person i cili konsumonte shpesh alkool dhe manifestonte sjellje agresive. Ndërsa ditën e ngjarjes, pasi i ka vënë flakën bashkëshortes është larguar i qetë në drejtim të padiur.
Çifti nuk ka regjistruar pranë Gjykatës së Korçës, çështjen për shkurorëzim, edhe pse prej 4 muajsh që jetojnë të ndarë. 31-vjeçarja në momentet e para ta ngjarjes, ka marrë ndihmën e parë nga një fqinje. Ngjarja ngjalli reagime të shumta të aktorëve politik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar sot Melisa Trëndafilin, e cila po merr shërbim të specializuar shëndetësor në repartin e Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi dy ditë më parë bashkëshorti i saj tentoi ta digjte me benzinë. Ministrja Koçiu bën me dije se gjendja shëndetësore e Melisës është jashtë rrezikut për jetën, me parametra normale, por që do të vazhdojë të jetë në ndjekje dhe monitorim nga stafit i mjekëve në QSUNT deri në stabilizimin e plotë të saj.