Çmimet e ushqimeve në Shqipëri më të shtrenjtat në rajon

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kushtojnë sa 81% e mesatares së Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit e publikuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka ushqimet më të shtrenjta në rajon duke lënë pas Serbinë, Malin e Zi apo Bosnje-Hercegovinën.

Më të lirat, ushqimet janë në Maqedoni, me 60% të mesatares europiane. Raporti i Eurostat nuk përfshinte asnjë të dhënë për çmimin e ushqimeve në Kosovë. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë të mishit në rajon, në nivelin 72% të mesatares europiane.

Vendet fqinjë
Kurse dy vendet e tjera fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut çmimin e mishit e kanë më lirë se Shqipëria, respektivisht në nivelin 61.8% të mesatares së BE-së. Pavarësisht se Shqipëria është një vend bregdetar, çmimi i peshkut rezulton më i shtrenjtë se në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria nuk kryeson vetëm në këtë pikë, por edhe tek prodhimet e bulmetit. Çmimi i qumështit, djathit, por edhe i vezëve është pothuajse sa mesatarja e Bashkimit Europian, tregues ky, që dëshmon se Shqipëria prodhimet e bulmetit i ka më të shtrenjtat në rajon.

Çmimi i drithërave
Një ndryshim disi pozitiv shihet tek çmimi i drithërave dhe bukës. Sipas të dhënave, Shqipëria renditet e treta në rajon, pas Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa ndiqet nga Maqedonia e Veriut, e cila këto produkte i ofron më lirë për qytetarët e saj. Përveçse ka çmime të shtrenjta të ushqimeve, shqiptarët kanë dhe të ardhurat më të ulëta në rajon, çka bënë që ata të kenë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, me 44% të totalit, nga 12% që është mesatarja e BE-së dhe rreth 30% për vendet e tjera të rajonit. Në Europë, më e shtrenjta për ushqimet është Zvicra, me 166% të mesatares europiane duke lënë pas Norvegjinë, Islandën, Danimarkën dhe Luksemburgun.

SHKARKO APP