Çmimi i karburantëve/ Shoqatat e transportit, kërkojnë zgjatjen dhe me 3 muaj të periudhës së kompensimit të naftës
Nga fillimi i konfliktit në Iran, çmimet e karburanteve në vend prej gati tre muajsh vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke ndikuar në koston e operatorëve të transportit publik.
Me qëllim që operatorët të mos gjenden shumë shpejt në pamundësi financiare për përballimin e kostove nga çmimet e larta të naftës, kërkohet zgjatja edhe me 3 muaj e periudhës së përfitimit të kompensimit, konkretisht për muajt korrik–shtator.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u miratua vendimi për dhënie kompensimi të naftës në nivelin e 50 lekëve për litër për një afat 3 mujor nga muaji mars deri në maj.
Në letrën drejtuar qeverisë, përfshirë ministrisë së Pushtetit Vendor, Ministrisë së Financave, Minsitrisë së Energjetikës, Shoqata e Transportit Publik Qytetas, në përfaqësim të operatorëve të transportit publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas ka kërkuar zgjatjen e afatit të zbatimit të kësaj mase mbështetëse edhe për një periudhë shtesë prej 3 muajsh.
“Në kushtet kur karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit të transportit publik, vazhdimësia e çmimeve të larta ka sjellë rëndim të ndjeshëm të barrës ekonomike për subjektet transportuese, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit publik ndaj qytetarëve.
Kështu, kërkojmë marrjen e masave për zgjatjen e afatit të kompensimit financiar në masën 50 lekë/litër karburant edhe për periudhën korrik-shtator 2026, duke vijuar me të njëjtat procedura, kritere dhe dokumentacion të përcaktuar në aktin normativ në fuqi.
Gjithashtu, vlerësojmë se vazhdimi i kësaj mase mbështetëse është i domosdoshëm për të garantuar vijimësinë dhe stabilitetin e shërbimit të transportit publik; shmangien e reduktimit të flotës dhe frekuencave të shërbimit; mbrojtjen e interesit qytetar dhe përballueshmërinë e transportit publik; ruajtjen e balancës financiare të operatorëve të licencuar të sektorit”, theksohet në letër.
Para miratimit të dhënies së kompensimit për përballimin e kostove nga rritja e çmimeve të naftës, nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban u dërguan disa letra ministrisë së Ekonomisë, ministrisë së Financave dhe Bashkive për vështirësitë financiare që po shkakton çmimi i lartë i naftës te operatorët e transportit publik.
Më 1 Prill operatorët zhvilluan një takim edhe me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, ku u kërkua të zbatohet skema e ngjashme e vitit 2022, ku për shkak të krizës së çmimeve operatorët u kompensuan 6 muaj për naftën me 100 lekë për litër.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre operatorët bllokuan për gati dy ditë edhe lëvizjen e qytetarëve me autobusa në Tiranë dhe rrethe, duke reduktuar numrin e mjeteve deri në 60%./Monitor
KOHA JONË SONDAZH

