CNN: A mund të mbijetojë NATO pa Shtetet e Bashkuara?

Evropa po përballet me një realitet të ri dhe të pasigurt, ku mbështetja e Shteteve të Bashkuara për NATO-n – aleancën që ka garantuar sigurinë e kontinentit për gati tetë dekada – nuk është më e sigurt.

Presidenti Donald Trump ka shprehur hapur mosbesimin e tij ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka treguar një afrim të rrezikshëm me Vladimir Putin dhe ka deklaruar se nuk do të mbrojë aleatët e NATO-s “nëse ata nuk paguajnë”. Këto deklarata i kanë shtyrë liderët evropianë të marrin në konsideratë një skenar që më parë ishte i paimagjinueshëm: A është Amerika ende një partner i besueshëm i sigurisë për Evropën, veçanërisht në një kohë kur kontinenti është përfshirë në konfliktin e tij më të madh që nga vitet 1940?

NATO pa Shtetet e Bashkuara nuk është e pafuqishme. Ajo numëron mbi një milion trupa dhe ka pajisje moderne ushtarake nga 31 vendet e saj anëtare. Për më tepër, ajo ka pasurinë dhe ekspertizën teknologjike për të garantuar sigurinë e saj.

Sipas një raporti të NATO-s, SHBA-ja dhe Gjermania kontribuojnë secila me gati 16% në buxhetet ushtarake dhe civile të NATO-s dhe në programet e investimeve të sigurisë. Britania e Madhe kontribuon 11%, ndërsa Franca kontribuon 10%. Ekspertët besojnë se Evropa mund të mbushë boshllëkun që do të krijonte një tërheqje e mundshme nga Uashingtoni.

Ben Schreer, drejtor ekzekutiv për Evropën në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), thotë se nëse vendet evropiane bashkohen dhe investojnë në pajisjet e duhura, ata mund të krijojnë një forcë të fuqishme konvencionale dhe bërthamore për të penguar Rusinë. “Evropa ka burimet për të mbrojtur veten, pyetja është nëse është e gatshme ta bëjë këtë,” shtoi ai.

Për më shumë se 75 vjet, SHBA ka qenë shtylla kryesore që ka mbajtur NATO-n të bashkuar. Gjatë Luftës së Ftohtë, trupat amerikane në Evropë shërbyen si një pengesë për Bashkimin Sovjetik. Në vitet 1990, fushatat ushtarake të NATO-s në Ballkan u kryen kryesisht me mbështetjen e ushtrisë dhe forcave ajrore amerikane. Deri më 20 janar 2025, kur filloi mandati i dytë i Trump, SHBA ishte ofruesi kryesor i ndihmës për Ukrainën.

Por tani, marrëdhëniet transatlantike po duken gjithnjë e më të brishta. Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, John Lough, SHBA-të po e shohin Evropën më shumë si një rival sesa një aleat. “Nëse humbisni ndonjë pjesë të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s, ju humbni pothuajse të gjithë atë,” thotë ai. Në qarqet politike evropiane, madje po ngrihet një pyetje e re: A duhet parë SHBA-ja si një kundërshtar në një farë mënyre?

Nga ana tjetër, disa analistë mendojnë se një NATO pa SHBA mund të jetë edhe më e fortë. Moritz Graefrath, një studiues i politikës së jashtme në Institutin e Kërkimeve Globale, argumenton se një tërheqje e mundshme e SHBA-së do t’i detyronte vendet evropiane të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse. “Në këtë kuptim, një largim i SHBA-së mund të çojë në një Evropë edhe më të fortë,” thekson ai.

Kryeministri polak Donald Tusk beson se ky proces tashmë ka filluar. “Evropa është e aftë të fitojë çdo konfrontim ushtarak, financiar apo ekonomik me Rusinë. Ne jemi më të fortë, por thjesht duhet të besojmë në të,” deklaroi ai përpara një samiti të BE-së.

Kapacitetet e Evropës

Në teori, një ushtri evropiane mund të jetë një forcë e frikshme. Turqia ka forcën më të madhe të NATO-s pas SHBA-së, me 355,200 trupa aktive. Pasohet nga Franca (202.200), Gjermania (179.850), Polonia (164.100), Italia (161.850), Mbretëria e Bashkuar (141.100), Greqia (132.000) dhe Spanja (122.200).

Gjithashtu, disa vende evropiane posedojnë armë të avancuara që tejkalojnë arsenalin rus. Për shembull, ndërsa Rusia ka vetëm një aeroplanmbajtëse të vjetëruar, Mbretëria e Bashkuar ka dy aeroplanmbajtëse moderne, ndërsa Franca, Italia dhe Spanja gjithashtu kanë anije luftarake që mund të lëshojnë avionë luftarakë. Për më tepër, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë fuqi bërthamore dhe posedojnë nëndetëse me raketa balistike.

Forcat ajrore evropiane përbëhen nga rreth 2000 avionë luftarakë dhe bombardues, duke përfshirë dhjetëra F-35. Në terren, Evropa posedon tanke të avancuara si Leopard dhe Challenger, të cilat tashmë po përdoren nga Ukraina kundër Rusisë. Evropa ka gjithashtu raketa të fuqishme si SCALP/Storm Shadow, të prodhuara nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Për të forcuar mbrojtjen e tyre, në vitin 2024 gjashtë vende evropiane nisën një projekt për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, rritën kapacitetet e prodhimit të municioneve dhe diversifikuan furnizuesit e tyre për të përfshirë vende të tilla si Brazili, Izraeli dhe Koreja e Jugut.

Edhe nëse SHBA tërhiqet nga Evropa, NATO do të trashëgonte 31 bazat amerikane të vendosura në kontinent, duke përfshirë bazat detare, ajrore dhe tokësore që mund të përdoren nga vendet pritëse.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Disa ekspertë besojnë se kërcënimi i Trump për t’u tërhequr nga NATO është thjesht një strategji për të detyruar aleatët të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Ata argumentojnë se situata mund të përfundojë si Koreja e Jugut, kur Trump kërcënoi të tërhiqte trupat amerikane, por në fund gjithçka vazhdoi normalisht.

Nëse marrëdhëniet midis Trump dhe Putin përkeqësohen, edhe vetë Trump mund të kuptojë rëndësinë e NATO-s.

Kështu, NATO mund të vazhdojë të ekzistojë dhe këto tensione janë vetëm një episod kalimtar në histori.

“Nëse Putini e shtyn Donaldin shumë fort, ai mund të kuptojë rrezikun dhe të ndryshojë qasjen e tij,” thotë Schreer.

SHKARKO APP