CNN rendit Shqipërinë në listën e destinacioneve më të vizituara nga turistët
Shqipëria është kthyer tashmë në një nga vendet më të frekuentuara nga turistët, vecanërisht gjatë periudhës së verës.
Në një artikull të publikuar për median amerikane “CNN Travel”, ekspertët e udhëtimeve kanë renditur edhe Shqipërinë, si një nga destinacionet më të mira për t’u vizituar këtë verë.
Nëse fluksi i turistëve amerikanë të verës së kaluar kishte përmasa “epike”, atëherë kontinenti këtë verë duhet të presë një “cunami gjithëpërfshirës” të turistëve nga e gjithë bota.
Turistët amerikanë në Evropë këtë verë pritet të tejkalojnë shifrat e verës së kaluar me 55%, sipas analizës së bërë nga kompania më e madhe e sigurimit të udhëtimit Allianz Partners.
Tania Swasbrook, bashkëthemeluese e konsulencës së udhëtimeve luksoze “Vgari Lifestyle”, tha se ajo po i këshillon klientët të marrin në konsideratë vizitën në “vendet paralele” dhe destinacionet në Evropë me oferta dhe bukuri të ngjashme, që nuk janë vende me emra të mëdhenj.
Ndërkohë Jack Ezon, themeluesi i agjencisë së udhëtimit EMBARK Beyond, tha se ai po këshillon në të njëjtën mënyrë klientët që duan të udhëtojnë këtë verë.
Ata e cilësojnë Shqipërinë si një atraksion sekret, por që nuk do të qëndrojë i tillë për një kohë të gjatë. Mes plazheve të Rivierës Shqiptare, agjentët turistikë veçojnë Ksamilin, Himarën e Dhërmiun, ku theksojnë se edhe në këto vende mund të ushqehesh me çmime ekonomike.
“Shumë më pak i frekuentuar nga turistët sesa Greqia fqinje apo Italia përtej Adriatikut. Vendi i Gadishullit Ballkanik, Shqipëria është ende një atraksion sekret, i ruajtur mes udhëtarëve të zgjuar, por nuk ka gjasa të qëndrojë një destinacion i fshehtë për një kohë të gjatë.
“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar”, tha Alan Mandic i agjencisë kroate të udhëtimeve “Secret Dalmatia”.
“Është një vend i mrekullueshëm dhe është tepër lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është këtu”, shtoi ai.
Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera Shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me çmime të lira, pjata të cilat përmbajnë gatimet si: karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të peshkuar direkt nga deti Jon”, shkruhet në artikull.