FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

“Corriere della Sera”: Pse Evropa po ngrohet më shumë se pjesa tjetër e botës?

Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me mbi 1300 vdekje brenda një jave, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), shkruan media italiane “Corriere della Sera”.

OBSH ka bërë të ditur së fundmi një shifër shqetësuese. Nga 21 qershori janë regjistruar mbi 1300 vdekje të lidhura me temperaturat e larta në Evropë.

Organizata thekson se Evropa po ngrohet rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky nuk është një fakt i ri, por është konfirmuar edhe nga raportet e programit evropian “Copernicus”, që monitoron ndryshimet klimatike në Tokë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të dhënat tregojnë se temperaturat po rriten kudo në botë, por në Evropë rritja është më e shpejtë.

Që nga vitet ’90, mesatarja globale është rritur me rreth 0,27 gradë Celsius për dekadë, ndërsa në Evropë me 0,56 gradë Celsius.

Për krahasim, në Azi rritja është 0,46 gradë Celsius, ndërsa në Australi 0,23 gradë Celsius.

Vetëm Arktiku ka një rritje më të madhe se Evropa, me 0,75 gradë Celsius për dekadë.

Në total, krahasuar me periudhën para-industriale (1850–1900), Evropa është ngrohur me rreth 2,5 gradë.

Vitet e fundit (2023–2025) janë regjistruar si më të nxehtat në histori.

Ekspertët shpjegojnë disa arsye për këtë fenomen. Sipas drejtuesve të “Copernicus”, një faktor i rëndësishëm është reduktimi i mbulesës së dëborës dhe akullit në Evropë.

Me më pak borë në Alpe, Pirenej dhe malet skandinave, toka e errët thith më shumë rrezatim diellor dhe nxehet më shpejt.

Një tjetër faktor, është rritja e valëve të të nxehtit, të lidhura me presionin e lartë atmosferik dhe ardhjen më të shpeshtë të masave të nxehta të ajrit nga Afrika e Veriut, që sjellin temperatura ekstreme sidomos në Evropën jugore dhe perëndimore.

Faktori i tretë lidhet me ndotjen e ajrit. Sipas ekspertëve, politikat evropiane kanë ulur ndjeshëm ndotjen dhe pluhurat në ajër.

Kjo ka përmirësuar shëndetin e njerëzve, por njëkohësisht e ka bërë atmosferën më të pastër dhe më transparente, duke lejuar që nxehtësia të përthithet më lehtë.

Specialistët theksojnë gjithashtu, se Evropa po preket më fort edhe për shkak të valëve të të nxehtit, që zgjasin më shumë dhe mungesës së përshtatjes së plotë të infrastrukturës me temperatura kaq të larta.

Sipas ekspertëve, edhe nëse trendi do të ndryshonte në të ardhmen, vendet evropiane duhet të përshtaten sa më shpejt me realitetin e ri klimatik dhe të rishikojnë mënyrën e jetesës në qytete.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?