Covid-19/ Spitalet përballuan fluksin por s’ka raportime për vdekjet në kushte shtëpie

Shqipëria ka hyrë në muajin e shtatë të pandemisë së Covid-19 me një prirje shqetësuese të rasteve të reja dhe numrit të të shtruarve në spitale. Sidoqoftë ajo që vihet re është se deri më tani sistemi spitalor ka mundur ta përballojë fluksin. Spitalet kanë mundur t’u shërbejnë qindra pacientëve ndërkohë që është arritur të mbahet e ulët përqindjen e vdekjeve që mbetet diçka më pak se 3 për qind e të infektuarve.

Të dhënat e raportuara nga ministria e Shëndetësisë, tregojnë se muajin e fundit situata vijoi të përkeqësohej për sa i përket përhapjes së infeksionit. U vu re rritje e mesatares së rasteve ditore nga 114 në 147, kjo për rrjedhojë edhe të rritjes së testimeve, mesatarisht nga 515 në 850 në ditë. Spitalet ia dolën mbanë të mbajnë pothuajse të njëjtën prirje të ulët të vdekshmërisë si muajin paraardhës (1670 të shëruar, 120 të vdekur muajin korrik-gusht; 3000 të shëruar, 125 vdekje muajin gusht-shtator).

Nga ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një raport përmbledhës për 6-mujorin e pandemisë. Nuk ka shifra të qarta se sa ka qenë numri i përgjithshëm i pacientëve të trajtuar nga Covid-19 në spitale. Sa prej të shëruarve të raportuar kanë qenë pacientë të shtruar në spitale dhe sa me trajtim shtëpiak. Nga raportimet ditore të ministrisë mund të kuptohet dinamika dhe prirja që ka pandemia.

Përballë situatës që po has Shqipëria dy muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur të bëjnë gati decentralizimin e shërbimit spitalor për pacientët me Covid-19 duke ia kaluar shërbimin edhe spitaleve rajonale në mënyrë që të shmangen lëvizjet dhe flukset shtesë drejt Tiranës. Ministria e Shëndetësisë ka raportuar disa herë për investime në aparatura dhe infrastrukturën spitalore të rretheve, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian ka mundësuar gjithashtu disa donacione. Kapaciteti hospitalizues i të sëmurëve me Covid-19 thuhet të jetë 500 shtretër, ndërkohë që deri më sot numri më i lartë i të shtruarve është raportuar të ketë qenë 199 (8 shtator, 24 prej së cilëve në terapi intensive).

Të dhëna mbetur të paqarta:

ministria e Shëndetësisë raporton vetëm vdekjet spitalore të pacientëve me Covid-19;
nuk ka pasur raportime për vdekje në kushte shtëpie të personave me Covid-19;
numri i përgjithshëm i rasteve totale me Covid-19 nuk rezulton të jetë i saktë;
të paktën 12 raste me pacientë të infektuar nga Covid-19 (bashkë me vetëvrasjen e dy pacientëve në Shefqet Ndroqi), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga Covid-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme.

Burimi: Euronews

SHKARKO APP