Ç’po ndodh me koncesionin e madh te parkingjeve të Tiranës?Kush i merr miliardat?

 

Hyrje: Nje koncesion stermadh 35 vjeçar me i madhi ne historine e Bashkise se Tiranes ka zgjuar vemendjen e nje pjese te shtypit te sotem nderkohe qe shumica heshten. Heshti edhe RD dhe ZP! E çuditshme ! Me poshte po botojme nje koment te lapsi.al dhe komentin e "KOHA JONE.

Pika 8 e rendit të ditës ishte ajo më e nxjehta në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Këshilltarë të djathtë e të majtë debatuan për disa orë mbi konçesionin më të madh në historinë e Bashkisë së kryeqytetit; atë për menaxhimin 35 vjeçar nga një konsorcium privat të parkingjeve publike të Tiranës, për t’i kthyer ato në parkingje me pagesë.

 

Dukej se ky konçesion nuk do të  haste pengesa. Lapsi.al kishte bërë të ditur gjatë ditës, por edhe më parë, arritjen e një marrëveshje mes të majtëve dhe të djathtëve, për një bashkim votash për këtë sipërmarrje milionash që do të rrjedhin nga paratë e qytetarëve. Arsyeja: pas kontratës qëndronin pronarja e Top Channel, Vjollca Hoxha, me kompanitë Speed Taxi dhe ABT si dhe vetë kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili kishte çuar për miratim në këshill konçensionin sipas propozimit të kërkuar nga dy kompanitë në fjalë..

 

Siç rezultoi më vonë, disa nga këshilltarët socialistë nuk ishin në dijeni të kësaj marrëveshjeje, padyshim "historike", duke parë tensionin që ka në këto kohë mes PD dhe PS. Këshilltarët demokratë e mbështetën konçesionin, por disa nga të majtët hodhën dyshime të forta për kontratën në fjalë, ndryshe nga drejtuesit kryesorë të së majtës në Këshill.

Eridian Saliani dhe Florian Pullazi kërkuan nëse kishte studim për këtë projekt dhe kush e kishte bërë atë. Nënkryetari Enno Bozdo tha se studimi dhe propozimi është i vetë bashkisë. Por më pas, gjatë diskutimeve doli në dritë fakti se propozimi ishte bërë nga “Speed Taxi”. Nuk ka asnjë shkelje ligjore në këtë fakt, por kur propozimi bëhet nga kompania private dhe jo nga institucioni, procedura e konçesionit ndryshon. Ajo duhet të kalojë në një garë të hapur mes kompanive të interesuara për sipërmarrjen dhe kompania që ka bërë projektin thjesht shpërblehet me një bonus. Por më parë duhet të ketë garë. Nënkryetari Bozdo gënjeu publikisht kur tha se studimi ishte bërë nga Bashkia, ndërkohë që në relacionin shpërndarë anëtarëve të këshillit ishte shkruar se studimi ashtu si dhe propozimi ishte bërë nga dy kompanitë private. Enno Bozdo me siguri ka dashur ta kalojë këtë moment para kamerave, për të mos u kuptuar interesat që qëndrojnë pas këtij konçensioni, por në relacion gjthçka është e qartë.

 

Eridian Salianji hodhi dyshime të forta për përfitim në kurriz të qytetarëve: “Doni të përfitojë bashkia apo xhepat tuaj? Bllokuat parkimet nëntokësore për interesat tuaja. Sot doni të shisni ajrin, po shisni ajrin. Doni të privatizoni pronën e qytetarëve.” Hije dyshimi u hodhën edhe për faktin se ky konçesion do të krijojë monopol në treg.

Florian Pullazi: Isha në Vjenë, parkingjet ishin të gjitha të bashkisë. Mos vallë kjo kompani do të krijojë një monopol në treg. Kush është kompania që ka sjellë studimin dhe a është e licencuar për të bërë studimin. Për një periudhë 35-vjeçare ne do të japim me koncesion ambientet e qytetarëve. Më duken shumë 35 vjet. Ju bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të mendohen mirë.”

 

Dy kompanitë ABT sh.p.k dhe Speed Taxi që ka kryer studimin, dhe që pritet ta fitojnë konçesionin, pasi votimi vetëm u shty në Këshillin Bashkiak, kanë një ortak të përbashkët. Në ekstraktet e QKR rezulton se ai është Shpresim Bajraktari. Në Speed Taxi është administrator dhe ortak me 92 % të aksioneve, ndërsa në ABT është aksioner me 70 % të kapitalit.

As kjo nuk është shkelje e ligjit. Po ku qëndron problemi i kësaj kontrate?  Gazeta Dita, sipas një përllogaritje të thjeshtë, shkruan se bëhet fjalë për 24 milionë lekë për çdo orë, për 35 –vjet me radhë. Janë 24 mijë vende parkimi në rrugët kryesore të Tiranës, bulevarde etj. Pagesa do të jetë 150 lekë  të reja për dy orë parkim në qendër dhe 20 lekë nëpër lagje. Konsorciumi parashikon në projekt vetëm vijëzimin e parkimeve dhe vendosjen e matësave të kohës së qëndrimit të makinaven në parkim. “Shitje ajri”, siç thotë Salianji, i cili u duk se nuk ishte në dijeni të marrëveshjes PD– PS për kontratën e majme për pronaren e Top Channel. Investimi është vetëm 2 milionë euro. Bashkia do të përfitojë vetëm 10 % të xhiros vjetore, një tjetër pikë kjo që ka ngjallur dyshime e debate në këshill dhe reagime në publik. Disa media e kritikuan fort këtë sipërmarrje gjatë ditës së djeshme, ndonëse sot kritikat duken më të zbehura.

Por ky nuk është problemi i vetëm. Ka edhe një problem moral në këtë histori, të prekur nga Lapsi.al dhe të ritheksuar edhe nga gazeta Dita në numrin e sotëm: Një pushtet mediatik arrin jo vetëm të bashkojë kundështarë të mëdhenj vetëm për interesa fitimprurëse, jo për qytetarët, por edhe t’u imponohet me privatizim të parkingjeve publike për 35 vjet qytetarëve të Tiranës.

 

Duke e vënë theksin tek ky fakt, Dita shkruan se “ky biznes miliardash i shtrirë në një interval kohor prej plot 35 vitesh është tentuar fillimisht nga kunati i Bashës, por më pas ai ka bashkuar në ide pronaren e TCH për ta pasur më të lehtë politikisht miratimin e aferës.”

Lapsi.al shkruante disa javë më parë se konçesioni 35 –vjeçar është bërë shkak i disa përplasjeve të forta mes Top Channel dhe kryeministrit Rama. Sipas burimeve të lapsi.al Rama nuk ka qenë kundër që konçesionin ta merrte kompania e pronares së Top Channel, por i ka kërkuar asaj që të presë deri në zgjedhjet e qershorit kur bashkia e Tiranës të fitohet nga e majta. Por kjo ofertë është refuzuar.

Marrëveshja me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka ndryshuar këto kohë edhe vijën editoriale të Top Channel. Shumëkush mban mend se Basha nuk figuronte në lajmet e Top–it as në zgjedhjet e vitit 2011. Por këto kohë ai është i pranishëm thuajse me çdo aktivitet. Do të duhet edhe një javë për të parë se çfarë kanë vendosur palët mbi këtë aferë multi– milionere, në përfitim, jo në investim. 

( Marr nga lapi.al)

 

Komenti i "KOHA JONE":

Kjo qe ka ndodhur e po vazhdon te ndodh, nese do te arrije te behet realitet, tregon se PD e PS kur eshte fjala per miliona euro interesa merren vesh dhe vetem sa bejne sikur zihen ne media apo ne parlament, por ne thelb nuk se mbrojne interesat e qytetareve. E habitshme eshte ne kete rast se si ka mundesi Lulzim Basha e Edi Rama qenkan dakort per nje projekt miliardash per 35 vite, aq me teper qe akuzojne njeri tjetrin si mafioz e te korruptuar. Pastaj edhe nje dyshim i madh mbetet ne kete pazar mes te dyve se perse po nxitojne per ta kaluar ne Keshillin Bashkiak, nderkohe qe mandati i ketij keshilli ka edhe tre muaj kohe. Perse te mos i lihet kryetarit dhe keshillit te ri qe do ta dale pas zgjedhjeve te 21 qershorit? Pse nuk eshte hapur gare publike por e bejne ne rreth te mbyllur kete pisllek? Nese e fitojne ne gare te hapur ta gezojne dhe t'ju shtrengojme doren, por nxitimi per ta kaluar si nen dore tregon se nuk ka interesa per qytetaret porse per personat ne lidhje koncensioni. Ne mos edhe me lart se ato!

SHKARKO APP