Dajaku ka dalë prej xhenetit!
Nga Arbana Xharra*
Psikopatët nuk vërehen në pamje të jashtme, për më tepër, ata shquhen me tipare atraktive, vetëbesim, të artikuluar, e shpeshherë me performancë befasuese…
Kjo maskë e jashtme është përpjekje e rafinuar për të fshehur gatishmërinë e tyre për të bërë veprime të pamëshirshme. Por, në momente të caktuara ata nuk mund ta kontrollojnë veten në zemërim duke shfaqur kështu shenja agresiviteti dhe të rrezikshëm për rrethin. Këto tipare të kësaj diagnoze lehtësisht gjenden online me referenca kredibile të psikiatërve, psikologëve apo neurologëve të njohur botërorë. Ata paralajmërojnë se ne jetojmë me shumë psikopatë përreth nesh, por nuk arrijmë t’i njohim. Veprimet e tyre, si: gënjeshtrat patologjike, manipulimet, mungesë pendese e vetëkontrolli, indiferenca ndaj vuajtjeve të viktimave të tyre… janë shenjat e para që të sinjalizojnë elementet e personave psikopatë.
Publikut shqiptar i është shfaqur një e tillë dy ditë më parë, me simptoma tipike siç u përshkruan më sipër. Me ftohtësi kriminale, pronarja Anjeza Shabani, rrihte pamëshirshëm fëmijën 3-vjeçar e më pas kthente gjithçka në normalitet.
Kjo qasje sadomazohiste tregon qartë se ky veprim nuk është bërë në afekt, porse tashmë ka marrë përmasa të një “metodologjie” pune, e ku dhuna është mjeti kryesor për arritjen e qëllimit.
Një person si kjo që tregon gatishmëri në veprime, që kanë spektër të gjerë kriminaliteti, me të drejtë shkaktoi pezëm në gjithë opinionin publik. Fokusi te veprimet e saj la nën hije indiferencën e të rriturve të tjerë që në atë moment ndodheshin aty dhe aktin e dhunës e përcillnin me gjakftohtësinë kriminale.
Situatë të ngjashme, me shpërfaqje të një niveli të lartë të dhunës, u pa edhe ditë më parë kur një burrë po rrihte një grua në një vend publik, teksa qytetarët shqiptarë të krijohej përshtypja se një akt të tillë po e shihnin në televizor.
Ky pozicion shpërfillës ndaj dhunës në publik në shoqërinë shqiptare gradualisht po shndërrohet në subkoshiencë tipike, me të cilën pamjet kësisoj po shihen me petkun e zakonshmerisë.
Ky nivel dhune tashmë po etablohet qetësisht në shoqërinë shqiptare duke e shndërruar në mendësi kulturore, të brumosur sipas frazës primitive të përdorur ndër vite te shqiptarët se “dajaku ka dalë prej xheneti”.
Kësisoj, dhuna po kthehet në një normalitet, ndaj çdo ditë mediet bombardohen nga tituj shokues të tipit: Burri grushton gruan në rrugë; Babai rrah vajzën “e përdale”; Nëna tërheq zvarrë fëmijën; Vëllai rrah motrën që nuk i bën hyzmet, etj.
Mbase nuk është për t’u çuditur sepse populli ende i mban gjallë shprehjet, në shumicën e të cilave bëhet ftesë për dhunë, si: “Dajaku ka dalë prej xhenetit”, “Hajt se fëmija bëhet më i hairit me e rreh nga pak”, “Gratë të hypin përmi kry mos me iu en dorën”.
Anjezën e nxorën në publik kamerat e medies. Por, sa psikopatë që s’i njohim fare bashkëjetojnë me ne, kushedi?! Mbi të gjitha rreziku është nga indiferenca qytetare, e cila po merr përmasa shqetësuese.
Në një shoqëri qytetare, e cila tenton gjithëpërfshirjen, solidariteti qytetar vije në shprehje posaçërisht në këso raste, sepse dhuna ndaj një individi është dhunë ndaj gjithë shoqërisë. E, për një shoqëri pa dhunë duhet reagim jo vetëm kur rastet i prezantojnë xhirimet, porse edhe në rastet kur dhuna kryhet heshtazi larg syve të opinionit publik.
Psikopatë ka sa të duash në mesin tonë, porse edhe mbështetës të tyre!
Prandaj, është detyrë e shtetit që akteve të dhunës t’u thotë boll më, jo vetëm me fushata sensibilizuese, porse nëpërmjet fuqizimit të mekanizmave ekzekutivë, me të cilat dhunuesit nuk do të kenë mundësinë kurrë më për një akt të dytë dhune!
*Kryeredaktore e Zëri
KOHA JONË SONDAZH

