Dardha destinacioni i fundjavës, por zona ka probleme me energjinë elektrike

Bora u rikthye sërish këtë fundjavë në Qarkun e Korçës, trashësia e saj arriti 10 cm në një territor në lartësinë mbi 1300 m mbi nivelin e detit. Kjo situatë ka sjellë edhe vështirësi për qarkullimin e automjeteve, sidomos mbrëmjen e të shtunës, atëherë kur edhe numri i turistëve vendas, të cilët i ishin drejtuar kësaj zone turistike ishte i lartë.

Nën bardhësinë e borës, Dardha merr pamjen tjetër, e cila i tërheq edhe më tepër vizitorët drejt saj. Mundësia për të ushtruar sportin e skive, gatimet tradicionale, por mbi të gjitha peizazhi i zbardhur, po josh çdo fundjavë edhe qindra vizitorë nga Tirana dhe qytete të tjera.

Nëse në Dardhë problemet kalohen me kënaqësinë që ajo fal, në zona të tjera ka sjellë probleme sidomos në furnizimin me energji elektrike. Kryesisht, probleme ka pasur në fidrin numër 6 të Mollasit, në Bashkinë e Kolonjës. Në terren janë grupet e OSHEE, të cilët po punojnë për riparimin e defektit në këtë fidër.

SHKARKO APP