“Das Magazin” – Rama: Jam më i gjatë se Donald Lu

Kryeministri Edi Rama sërish ka folur për një medium perëndimor. Kësaj radhe për «Das Magazin», një shtojcë javore e gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» dhe disa gazetave të tjera zvicerane. Ashtu si në shtator të vitit 2015, kur kishte folur për një gazetë rajonale zvicerane, edhe gazetarëve të «Das Magazin» Rama u ka thënë atë që mendon për Zvicrën: «një vend monoton», madje kësaj radhe e ka sforcuar pak tonin – sipas tij Zvicra është «monotone për vdekje».

Intervista e Ramës, e cila botohet të numrin e së shtunës, vjen në fund të një jave kur të gjitha gazetat e botës e kanë lavdëruar Zvicrën si shtet solid, funksional, me politikanë të përgjegjshëm. Shkas për këtë valë lavdërimesh ishte hapja e tunelit më të gjatë në botë të enjten (57 kilometra). «Zvicra e turpëron Europën», shkroi gazeta konservatore «Frankfurter Allgemeine Zeitung», duke qortuar gjermanët që ende s’po arrijnë ta përfundojnë as aeroportin e Berlinit, as hekurudhën e re që në drejtim të Baselit. Për italianët të mos flasim fare: pjesën e tyre të punës nga Milano deri në kufirin me Zvicrën ata nuk e kanë përfunduar ende. Për hapjen e tunelit dhe për të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore politikanët zviceranë e kanë dëgjuar mendimin e popullit të shprehur në referendum.

Në vijim, disa nga përgjigjet e Edi Ramës nga intervista në «Das Magazin» të «Tages Anzeiger».

Swiss Digital Desktop Reklama

Për Zvicrën:

Swiss Digital Mobile Reklama

«Si kryetar i Tiranës njëherë kam kaluar andej (nëpër Zvicër, v.j.) dhe mendova: këtu s’dua të jem kurrë kryetar Bashkie. S’ke çfarë të bësh».

A do të përkrahni Shqipërinë I apo Shqipërinë II në Kampionatin Europian të Futbollit?

«Shqipërinë I, pa dyshim. Madje dy vëllezër do të përballen, kjo është mjaft bizare. (…) Ekipi i Zvicrës ka më shumë përvojë. Do të ishim të kënaqur me rezultatin 1:1».

Për vëllezërit Xhaka:

«Do të dëshiroja t’i shihja këta dy vëllezërit të luajnë bashkë për Shqipërinë. Më kujtojnë shqiponjën në flamurin tonë: njëri shikon Shqipërinë, tjetri Zvicrën».

Talentin e shqiptarëve të Kosovës për futboll Rama e shpjegon me historinë e emigrimit. Kosovarët kanë emigruar shumë më herët, ata kanë pasur shansin të mësojnë këtë lloj sporti në mënyrë profesionale në shoqëritë përkatëse perëndimore. I pyetur nëse në Shqipëri diskutohet për faktin se kosovarët luajnë kundër shqiptarëve në ekipin kombëtar, Rama i bie shkurt: «S’po e kuptoj pyetjen».

Në sqarimin e gazetarëve se në Zvicër e djathta politike thotë se në ekipin kombëtar ka shumë të huaj, Rama përgjigjet: «Ndoshta orët dhe ekstremistët e djathtë janë e vetmja gjë origjinale në Zvicër? Për ju shpresoj të mos jetë kështu».

Për imazhin:

«Kush dëshiron të përmirësojë imazhin, duhet të ndryshojë veten. Duhet ta zhvillojmë vendin, rajonin. Po punojmë për këtë. Po përparojmë, ngadalë, por pandërprerë. Shqiptarët dhe kosovarët e zellshëm që punojnë jashtë vendit për çdo ditë japin kontributin e tyre. Gjendja nuk është e njëjtë si në vitet ’90 kur shumë shqiptarë janë sjellë në mënyrë të pahijshme dhe kësisoj i kanë krijuar bazat për paragjykimet e tmerrshme ndaj shqiptarëve».

Arsyen e papunësisë në Shqipëri Rama e sheh te diktatura që zgjati më shumë se 4 dekada.

I pyetur nëse është korrekte të thuhet se Rama është personi i dytë për nga rëndësia në Shqipëri pas ambasadorit amerikan, ai thotë: «Çfarë thoni? Unë jam më i madh se ai. Së paku sa i përket gjatësisë trupore».

Dhe vazhdon: «I duam amerikanët. Së paku sot kështu. Enver Hoxha, ish-diktatori ynë, gjatë një gjysmë shekulli ka bërë reklamë falas për SHBA-të, duke i mallkuar ato për çdo ditë. Madje edhe t’i biesh saksofonit ka qenë e ndaluar. A ka diçka më atraktive se të hysh në lojë me djallin?».

Në vijim të intervistës, Rama përmend si sukses të qeverisjes së tij reformën në fushën e energjisë, lavdëron qasjen e Angela Merkel ndaj refugjatëve, thotë se një ndër rreziqet më të mëdha është  injoranca e Europës ndaj myslimanëve, mendon se «politika është fantastike», «një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve» – dhe në fund analizon veten e tij: «Jam në një situatë shizofrene mes artit dhe politikës dhe shpresoj shumë se më pret edhe një jetë e tretë. Një jetë në të cilën nuk duhet të ketë kundërthënie mes dy poleve. Por për të arritur këtë më duhet t’i them lamtumirë politikës».

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?