DASH publikon kabllogramin për laboratorin e Wuhanit, paralajmërimi i 2018

Departamenti i Shtetit ka publikuar një kabllogram diplomatik në të cilin vihej në dukje se Instituti i Virologjisë në Wuhan të Kinës kishte “mungesë të theksuar të teknikëve të trajnuar si duhet dhe hetuesit duhet të punojnë të sigurt në këtë laborator të kontrollit të lartë”.

Pjesë të këtij kabllogrami dyvjeçar, që u publikuan në media në fillim të vitit, shërbyen për të ngritur dyshime nga pjesëtarë të administratës Trump dhe Kongresi amerikan se koronavirusi mund të ketë dalë nga laboratori që ndodhej pikërisht në epiqendrën e tij.

Kabllogrami i janarit 2018, i marrë nga gazeta “Washington Post” vinte në dukje se laboratori i Wuhanit po punonte me degën e Mjekësisë në Universitetin e Teksasit për të trajnuar stafin që do të punonte në laborator. Në një kabllogram të dytë, të prillit 2018, citohen zyrtarë francezë të thonë se “ekspertët francezë kanë siguruar udhëzime dhe trajnime për sigurinë e jetës në laborator, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ishte mes personave që thanë me zë të lartë se koronavirusi vdekjeprurës mund të kishte dalë nga laboratori i Wuhanit. Megjithatë, së fundmi ai duket se është tërhequr nga teoria e koronavirusit të dalë nga një laborator, pavarësisht deklaratave të forta kundër qeverisë kineze për rolin e saj në dështimin e frenimit të përhapjes së pandemisë dhe mungesës së transparencës.

Pavarësisht pretendimeve të Pompeo-s, por edhe të presidentit Donald Trump për përhapjen e koronavirusit nga laboratori i Wuhanit, shkencëtarë të ndryshëm në SHBA dhe vende të tjera perëndimore kanë dalë në përfundimin se “ka pak gjasa” që të ketë ndodhur kështu. Por shërbimet inteligjente amerikane kanë deklaruar se po i analizojnë të dy mundësitë.

SHKARKO APP