Dashnor Dervishi tregon për takimet e Ramës me turqit: Pse Shqipëria trajtohet si “vëllai i vogël”
Ankaraja do të ishte një tjetër destinacion për diplomatin e karrierës, Dashnor Dervishi. Ndryshe nga Italia, ku kishte shërbyer si ambasador, në një kohë krize, ku iu desh të përballej me eksodin biblik të shqiptarëve, Turqia, do të ishte shumë herë më “komode”, kjo për shkak se Turqia e konsideronte Shqipërinë si “vëllanë e vogël” dhe diplomatët shqiptarë atje ishin të privilegjuar, priteshin nga zyrtarët më të lartë të shtetit, në mënyrë shumë miqësore.
Sot, diplomati i kthehet përmes kujtimeve asaj periudhe, takimeve me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e shtetit për Ekonominë, takimet e zyrtarëve të lartë shqiptarë me ata turq, etj. Ai veçon takimet e ish-Kryeministrit Meta dhe ish-kryebashkiakut të Tiranës, Rama, batutat me ministrin Qemal Dervish me origjinë shqiptare, etj.
NGA: Dashnor Dervishi
Në Ankara mbërritëm më 18 shtator të vitit 2000. Më 4 Tetor u paraqita te Presidenti i Republikës Turke, Nexhdet Sezer, për të dorëzuar kredencialet e Presidentit shqiptar, Rexhep Meidani. Ceremonia e protokollit turk për dorëzimin e kredencialeve të ambasadorëve te Presidenti ishte e thjeshtë, sipas mënyrës standarde të shumë vendeve. E veçanta e këtij protokolli është që pas mbarimit të ceremonisë në Presidencë, shkohet te Mazoleumi i Ataturkut për të vendosur një kurorë me lule. Edhe biseda me Presidentin e vendit, Sezer, ishte e thjeshtë.
Në mënyrë krejt të lirshme, mbasi shkëmbyem formulat klasike të kortezisë, koha që pasoi për shampanjë kaloi në një atmosferë tepër të thjeshtë, të ngrohtë dhe miqësore. Presidenti Sezer, ndryshe nga paraardhësi i tij Demirel, vinte nga fusha e drejtësisë dhe si i tillë, ishte fjalëpakë dhe pa shumë formalitete. Me një thjeshtësi karakteristike dhe të natyrshme, Sezer shprehu kënaqësinë që po priste ambasadorin e Shqipërisë, që vinte nga një vend mik, me një popull vëlla. “Marrëdhëniet tona janë kaq të vjetra dhe të ndërthurura me histori të përbashkët, saqë besoj se ju do të ndiheni këtu si në shtëpinë tuaj dhe do ta keni të lehtë të kryeni misionin tuaj”, theksoi Presidenti në fjalën e tij.
Nga ana ime, e falënderova për fjalët e ngrohta dhe për sigurinë që mora, për mbështetjen që do të kisha nga institucionet shtetërore, por theksova se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve tona e bënin punën time edhe më të vështirë, duke qenë se midis dy vendeve tona, nga pikëpamja formale janë ezauruar pothuaj të gjitha llojet e marrëveshjeve dhe protokolleve të mundshme që mund të nënshkruhen midis dy vendeve dhe se institucionet tona tashmë kanë hyrë në kontakt dhe mbajnë lidhje direkte e të vazhdueshme, kjo e bën edhe më të vështirë punën e ambasadës, për të realizuar veprimtari më cilësore e të një niveli më të lartë.
Dhe në fakt, në kalendarin e gjashtë muajve të parë të vitit 2000, me Turqinë ishin bërë pothuaj të gjitha shkëmbimet e mundshme në nivel të lartë, që nga presidentët, kryeministrat, parlamenti, një pjesë e madhe e ministrave, etj. Por si gjithmonë, ndërsa vizitat bëhen, marrëveshjet shkruhen dhe merren shumë premtime, më tej mbetet shumë më tepër për të bërë, sidomos në zbatimin e angazhimeve të marra. Më 18 tetor, vetëm pak ditë mbasi kisha paraqitur kredencialet, në Stamboll bëhej një takim midis përfaqësuesve të biznesit nga të dy vendet tona, në kuadër të Paktit të Stabilitetit, ku ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe Kryeministri i vendit tonë, Ilir Meta.
Meqë ishte në Stamboll, Meta shprehu dëshirën që ta shfrytëzonte këtë rast për një takim të mundshëm edhe me Kryeministrin e Turqisë, Bulent Eçevit. Nuk vonoi dhe Eçevit ktheu përgjigje se e priste homologun e tij shqiptar me kënaqësi në Ankara. Të nesërmen u bë takimi midis dy kryeministrave dhe delegacioneve që i shoqëronin. Interesante nga ai takim ishte mënyra se si Meta, për të shprehur rëndësinë që qeveria shqiptare u jepte marrëdhënieve me Turqinë, i tha Kryeministrit Eçevit se, kemi sjellë në Turqi jo vetëm një ambasador të vjetër e me eksperiencë, por edhe një njeri, që së bashku me mua, është ushqyer që në rini të tij me dashuri për Turqinë, nëpërmjet tregimeve të gjyshit tonë, që për 30 vjet ka jetuar e punuar në Stamboll.
Ishte një ndërhyrje efikase, jo vetëm se mua m’u bë shumë më e thjeshtë për të m’u hapur rrugët në institucionet turke, por sepse ajo pati një ndikim mjaft pozitiv për vlerësimin dhe rëndësinë që i jepej në Shqipëri marrëdhënieve me Turqinë. Mbas dy javësh, në Ankara mbërriti një delegacion i madh nga Ministria e Mbrojtjes, në krye të të cilit ishte ministri Ilir Gjoni. Në delegacion bënin pjesë të tre komandantët e Ushtrisë (tokë, ajër, det), që të tre të shkollës turke, si dhe drejtuesit kryesorë të drejtorive të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Nga data 31 tetor deri më 1 nëntor delegacioni vizitoi shumë qendra të rëndësishme të ushtrisë turke dhe bisedoi e mori takim me personalitetet më të larta të ushtrisë dhe qeverisë. Në një nga drekat zyrtare, të shtruar për nder të delegacionit shqiptar, ishin të pranishëm nga pala turke, përveç ministrit, edhe shumë gjeneralë dhe drejtues të ministrisë, homologë të palës shqiptare.
Dreka kaloi në një atmosferë mjaft të këndshme, ku nuk mungonin herë pas here edhe përshëndetjet zyrtare, apo humori. Përfitova nga atmosfera miqësore dhe ngrita gotën edhe unë për të bërë një përshëndetje. Falënderova për mikpritjen tepër të ngrohtë, shpreha kënaqësinë për rezultatet pozitive të arritura gjatë bisedimeve dhe besimin tim se në të ardhmen kemi akoma shumë për të bërë. Në fund, si me humor, për të treguar rëndësinë që vendi ynë i jep marrëdhënieve me Turqinë edhe në fushën ushtarake, vura në dukje përbërjen e gjerë të përfaqësimit të delegacionit tonë, aq sa sikur të ndodhë ndonjë emergjencë në Shqipëri këto ditë, vendi është pa asnjë drejtues të ushtrisë. Mbas pak, u ngrit Ministri i Mbrojtjes, Sabahatin Çakmakoglu, i cili bëri përshëndetjen e rastit. Duke përfunduar, ai u kthye nga unë dhe shtoi: “Për sa i përket shqetësimit tuaj ambasador, ju them që të rrini i qetë, duke ju deklaruar, se në rast se te shtëpia e “vëllait tonë të vogël” do të ndodhte ndonjë gjë, ju siguroj se kështu siç jemi këtu, të gjithë së bashku, nuk na duhen më shumë se dy orë që të jemi në Shqipëri”.
Në fakt, mund të thuhet se fusha ku Turqia ka bërë investimin më serioz dhe të prekshëm në marrëdhëniet me vendin tonë ka qenë ajo e ushtrisë. Bashkëpunimi midis dy ushtrive tona nuk ka mbetur vetëm në mbështetjen potenciale dhe strategjike turke për Shqipërinë, por ajo është konkretizuar direkt në mbështetjen logjistike për Ushtrinë Shqiptare, duke u kthyer në një nga kontributorët më seriozë për arritjen e standardeve të NATO-s. Në saj të kësaj asistence dhe ndihme financiare, u bë i mundur riparimi dhe ngritja sipas kërkesave të kohës i shumë objekteve të rëndësishme ushtarake në gjirin e Vlorës, në Kuçovë, Poliçan, etj.
Në Turqi studionin një numër i konsiderueshëm studentësh e specialistësh të fushave të ndryshme të Ushtrisë Shqiptare, ndërkohë që me ndihmën e specialistëve turq, në vendin tonë u arrit të ngrihen shumë reparte dhe organizma të sigurisë së lartë kombëtare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bashkëpunimin në fushën e organeve të Ministrisë së Brendshme si dhe të shërbimeve inteligjente, të cilat mbas ngjarjeve të vitit 1997 në Shqipëri, kishin pësuar një krisje të vogël. Brenda një viti vizitat ndiqnin njëra-tjetrën; vizitat reciproke të ministrave të jashtëm Milo e Xhem, prefekti i Tiranës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, grupet parlamentare të miqësisë, grupe të delegacioneve ekonomike etj. Një vizitë interesante ishte edhe ajo e Edi Ramës, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i ftuar nga kryetari i Bashkisë së Ankarasë, Melih Gokçek, nga 24 deri më 26 prill 2001.
Ankaraja, një qendër e vjetër e Perandorisë Otomane, nga viti 1920 ishte kthyer në shtabin qendror të Mustafa Qemal Ataturkut, i cili në tetor të vitit 1923 e shpalli kryeqytet të Republikës Turke. Qemal Ataturku vendosi ta spostojë kryeqytetin nga Stambolli në lindje të vendit, si një manovër ndaj përpjekjeve të shteteve që dolën fitimtare në Luftën e Parë Botërore, për të marrë territore nga mbetjet e Perandorisë Otomane, si dhe me qëllimin për të zhvilluar pjesën e Anadollit, deri në kufijtë e Lindjes së prapambetur të Turqisë. Ankaraja ishte shpallur qyteti më i gjelbëruar dhe me infrastrukturë moderne për vitin 2001. Kjo ishte edhe një nga arsyet që nga takimi që pata me kryetarin e Bashkisë, Melih Gokçek, të bëhej e mundur vizita e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për të marrë eksperiencë. Dhe besoj se ia vlejti. Gjatë ditëve të qëndrimit në Ankara, kryetari Rama dhe grupi i bashkisë që e shoqëronte u njohën nga afër me zhvillimin e qytetit, metodat e projektimeve urbane dhe ato të infrastrukturës, problemet e gjelbërimit dhe të furnizimit me ujë, me ato të strehimit dhe ndërtimeve pa leje, me krijimin e zonave të reja industriale etj.
Në muajin mars të vitit 2001, si rezultat i një krize ekonomike që po kalonte Turqia, e shoqëruar edhe me një zhvlerësim të ndjeshëm të lirës turke, Qemal Dervish la postin e zv.presidentit të Bankës Botërore dhe iu përgjigj thirrjes së kryeministrit të vendit, Bulent Eçevit, për t’u kthyer në Turqi, në krye të Ministrisë së Shtetit, me kompetenca të gjera për ekonominë. Ato ditë, Qemal Dervish shihej si shpëtimtari që do të bënte të mundur kapërcimin e krizës, që kërcënonte rëndë me kolaps ekonominë dhe gjithë jetën shoqërore e politike të vendit.
Ai ishte në fokusin qendror të shtypit, të opinionit të brendshëm dhe të huaj, si dhe të sulmeve të opozitës. Bile, në një nga sulmet që ish-kryeministrja e Turqisë, Tansu Çiller, bëri ndaj Qemal Dervish, ajo përmendi edhe origjinën e tij, duke theksuar se fundi i tij do të jetë si e paraardhësit të tij Ali Pashë Tepelenës, koka e të cilit përfundoi në tepsi para këmbëve të sulltanit. Axhenda e Qemal Dervish ishte tepër e ngarkuar dhe ishte shumë e vështirë për ta takuar. Këtë gjë e dëgjoja nga komentet që bëheshin në pritjet e ndryshme të trupit diplomatik. Megjithatë, edhe unë, si shumë kolegë të tjerë, bëra një kërkesë për t’u vënë në radhën e pritjeve të mundshme. Për habinë time dhe të kolegëve të mi në ambasadë, brenda ditës, në orët e drekës, një telefonatë nga kabineti i ministrit na njoftoi se Qemal Dervish më priste ditën e nesërme. Qemal Dervish më priti krahëhapur në zyrën e tij, sikur të njiheshim prej kohësh.
Gjeti kohë të rrinte gjatë, të më pyeste për të rejat e fundit nga Shqipëria. U interesua në mënyrë të veçantë për rolin e opozitës, duke vënë në dukje se Berisha, në atë kohë në opozitë, mbetej një nga miqtë e tij më të mirë, që e kishte ndikuar për ta afruar dhe joshur me dashurinë për vendin e të parëve të tij. Duke përfituar nga rasti, megjithëse e dija që origjina e tij ishte diku nga Tepelena, i them se shumë gazetarë dhe kolegë të mi ambasadorë më pyesin për ndonjë lidhje të mundshme midis nesh, meqë kemi mbiemër të përbashkët. Nuk e di nëse kam bërë mirë apo keq, por po ju vë në dijeni se deri tani të gjithëve u kam thënë për humor se jemi kushërinj. Qemal Dervish u ngrit në këmbë dhe duke qeshur me krahë hapur tha se ne jemi vërtet kushërinj, në kushtet tona ne jemi kushërinj, këtë do t’i them edhe unë kujtdo që do të më pyesë.
Përpara se të shkoja në Turqi, kisha dëgjuar për një bisedë midis presidentit turk, Demirel, dhe presidentit tonë, Meidani. Kur Meidani i kishte thënë se në Shqipëri banojnë 3.5 milion banorë, Demirel kishte reaguar, duke thënë se në Turqi ku ai ishte president jetojnë më shumë shqiptarë. Bile, kam ndjesinë që edhe gjatë regjimit komunist, në veprat e Enver Hoxhës, ku nuk mbetej asnjë regjim i vendeve të rajonit pa u sharë dhe kritikuar, kur vinte fjala për Turqinë, gjendej mënyra për t’u anashkaluar. I kujtova që në fillim këto episode, por si këto jeta në Turqi është e mbushur në çdo hap që hedh. Mund të them se në Turqi ambasadori shqiptar është nga më të privilegjuarit dhe më të respektuarit se në çdo vend tjetër të botës. Kjo është shprehje e asaj ndjesie që kemi në marrëdhëniet tona me Turqinë, që për një sërë faktorësh Turqia mbetet për vendin tonë një aleat potencial i kombit shqiptar. Dhe nuk është vetëm arsyeja se Shqipëria ka qenë nën Perandorinë Otomane për pesë shekuj, apo sepse pjesa më e madhe e popullsisë aktualisht mban fenë myslimane, pasi të tilla vende ka edhe të tjera si në Ballkan, edhe në Azinë e Vogël.
Gjatë qëndrimit tim në Turqi, nëpërmjet disa vëzhgimeve dhe analizave modeste, jam përpjekur të jap një panoramë mbi zhvillimet që i takojnë asaj periudhe të shkurtër të qëndrimit tim në Turqi, në vitin e parë dhe të dytë të shekullit XXI. Në planin e brendshëm, në 6-mujorin e parë të vitit 2001, Turqia u përball me një nga krizat më të rënda ekonomike të historisë së saj moderne. Me një zhvlerësim të monedhës vendase prej 30%, brenda pak javësh, qeveria turke kaloi në një regjim të përgjithshëm kursimi. Kriza ekonomike, akuzat për korrupsion dhe paaftësia për të drejtuar bënë që kriza të ndihej edhe në jetën politike. Kërkesat nga brenda dhe presionet nga jashtë për reforma demokratike, për të drejtat e njeriut, për zvogëlimin e rolit të ushtrisë në politikë, për qëndrimet ndaj partive me karakter fetar, për ndryshimet kushtetuese etj., e bënë jetën politike dhe sociale të Turqisë mjaft intensive e të ngarkuar me ngjarje. Në politikën e jashtme, boshti turko-amerikan mbetet konstante e përhershme.
Dhuna e shpërthyer në Lindjen e Mesme, dëshira e Turqisë për t’u përfshirë në planet e zgjerimit të Bashkimit Europian, përpjekjet e lobit armen për të bërë të njohur të ashtuquajturin gjenocid të Perandorisë Osmane ndaj armenëve, përpjekjet ambicioze të BE për të pasur forcën e saj ushtarake, afrimi dhe tensionimi i menjëhershëm midis aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë, projektet energjetike për transportimin e naftës dhe gazit natyral të Kaukazit dhe Azisë Qendrore në tregjet perëndimore nëpërmjet Turqisë do të ishin disa zhvillime që do të përbënin axhendën e vitit 2000-01, në një territor të gjerë të shtrirë nga Azia Qendrore në Lindje, drejt Lindjes së Mesme në Jug dhe drejt Europës në Perëndim. Në Ballkan, politika e jashtme e Turqisë shfaqet më komplekse. Në të ndërthuren elementë të ish-Perandorisë Osmane me ato të Turqisë moderne; traditat e vjetra dhe influencat islamike përzihen me tendencat europiane moderne të vendeve ballkanike për shkëputje prej tyre; lufta për të drejtat e njeriut mbi baza etnike dhe kombëtare, përzihet me tendencën për të mbrojtur minoritetet turke apo myslimane; shqetësimi i përhershëm ndaj çështjes kurde dhe terrorizmit e bën Turqinë të ndjeshme ndaj lëvizjeve etnike në Ballkan.
E ndjeshme në marrëdhëniet me Greqinë, politika turke lëviz sipas shkallës së shtrirjes së influencës greke në Ballkan, në raport me acarimet apo kompromiset në zona të tjera, ku përplasen interesat e tyre, për Qipron, Egjenë, minoritetet etj. Synimi i Turqisë për t’u bërë sa më e pranueshme në BE, e kushtëzon politikën turke që të jetë e kujdesshme ndaj shqetësimeve që kanë disa vende europiane, për një prani më aktive të Turqisë në Ballkan. Këto elementë, në qarqe të analistëve të politikës së jashtme të Turqisë, sidomos të atyre që do të dëshironin një prani më aktive të saj në Ballkan, do ta përkufizonin politikën turke si të paqartë, deri në mungesë të një strategjie të caktuar në rajon.
Por këtij shqetësimi i dha përgjigje ministri i Jashtëm, Xhem, në një debat me analistë dhe gazetarë. “Turqia, tha ai, ka një politikë dhe strategji të qartë në Ballkan. Pikërisht ajo që ju e përkufizoni si politikë joaktive të Turqisë në Ballkan, është pozicioni ynë shumë i qartë i politikës sonë të jashtme në Ballkan”. Edhe marrëdhëniet me Shqipërinë, qëndrimet ndaj Kosovës dhe ngjarjeve të krizës maqedonase, në politikën e jashtme të Turqisë, duhen parë në sfondin e faktorëve të përmendur më sipër./panorama