Databaza e PS, Mërtiri: Është një industri e tërë e trafikimit të votës. Drejtësia shqiptare është nën presionin e qeverisë
Sociologu Ergys Mërtiri ka folur në lidhje çështjen e vjedhjes të të dhënave të 910 mijë qytetarëve.
I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, Mërtiri ka thënë se është një industri e tërë që merret me trafikimin e votës.
Ergys Mërtiri: Unë i shoh të lidhura këto, është një industri e tërë e trafikimit të votës e cila ka disa aspekte. Njëra është që oligarkët ushqehen me para.
Tjetra është banda kriminale që blen vota dhe për këtë mjafton që të shohësh se në Parlament ka njerëz me precedent penalë dhe kuptohet nga vijnë votat.
Nga ana tjetër ka përgjime të cilat kanë treguar se sa herë që është përgjuar një grup kriminal ka dalë se ka lidhje me njerëz të cilët janë në pushtet dhe përveç kësaj janë të lidhur me trafikimin e votës.
E treta është se srukturat e partisë të cilët në mënyrë kriminale marrin të dhënat personale dhe përcaktojnë një hierarki, një rrjet një strukturë të survejimit të votuesve dhe i përdorin për të hartuar nga një dosje për secilin dhe nëpërmjet strategjive arrijnë të marrin votën. Këtu jo vetëm që shkelin ligjet që kanë të bëjnë me të drejtën e njeriut por shkelin dhe ligjin elektoral. Atë që unë e shoh si të frikshme është se si shteti përdor të dhëna të tilla në mënyrë të strukturuar arrin të patronazhojë. Uën të gjithë njerëzit që kam pyetur asnjë nuk e njihte se kush është ky patronazhuesi. “
Ai ka thënë ndër të tjera se organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë pasi sipas tij deri më tani nuk është bërë asgjë dhe nuk dihet se si po hetohet ky rast, që prej ditësh ka qenë kryefjalë e mediave, politikanëve dhe analistëve. Më tej ai shton se drejtësia shqiptare është nën presionin e qeverisë
Ergys Mërtiri: Organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë. Prokuroria nuk ka dhënë shenja që e ka marrë seriozisht këtë gjë. Një grevë e kontrollorëve, u arrestuan brenda natës. Nuk është bërë asgjë, ka dalë vetëm lajmi se po hetohet po se si po hetohet nuk e di njeri. Unë di që miqtë e mi se ju ka ardhur me foto se ka qenë në protestën e PD-së, di shumë raste që janë penalizuar. Ka një sistem monitorimi të tmerrshëm. Unë besoj që edhe PD-ja ka informacione për zgjedhësit, por këta kanë marrë të dhëna private.
Prokuroria duhet të hetojë, të na tregoj se kë dhe ca procesi po zhvillon. Drejtësia shqiptare është nën presionin e qeverisë. Qeveria i mbron me fanatizëm njerëzit e vet, shkelësit e ligjit. Që ky të marrë votën, duhet të futet në mënyrë kapilare te çdo votues. Qëllimi i Ramës është të provojë fjalë, të mbush hapësirën. ”