Datat e provimit me shkrim për Shkollën e Policisë

Janë shpallur sot datat e testimit me shkrim të aplikantëve për Shkollën Bazë të Policisë, për “Patrullë e Përgjithshme”. Lidhur me aplikimet e shtetasve për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”, Ju informojmë se:

Mbi bazën e nevojave, Drejtori i Policisë së Shtetit nxori urdhrin  “Për shpalljen e aplikimeve për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”. Procesi i aplikimit  filloi më datën 15 Janar 2016 dhe përfundoi më datën 15 Shkurt 2016.

Ndërsa procesi i verifikimit të dokumentacionit të aplikantëve përfundoi më datë 29.02.2016. Nga verifikimi i bërë rezulton se numri total i aplikantëve që plotësojnë kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurimit është 5020, nga këta 4542 meshkuj dhe 478 femra.

Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Policisë së Shtetit “ Për rregullat e konkurimit për pranimin në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme”, faza e parë e konkurimit, testimi me shkrim, do të zhvillohet në ambjentet e sallës së koncerteve (pallati i Kongreseve) në datat:

– 15.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Kukës;

– 16.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan Berat dhe Fier;

– 17.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Dibër.

Aplikantët, duke filluar nga data 09.03.2016 të paraqiten pranë zyrave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar me qëllim tërheqjen e numrit kodik që ju duhet për t’u pranuar në konkurimin me shkrim.

Akademia e Sigurisë ka marrë masa për zhvillimin e fazave të konkurimit sipas rendit të mëposhtëm:

  • Testimi me shkrim i cili do zhvillohet në datat e mësipërme.
  • Testimi i aftësive fizike, që do zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit me shkrim
  • Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit, që do të zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit të aftësive fizike
  • Testimi psikologjik, i cili zhvillohet në përfundim të tre testimeve të para.

 Pesha specifike e secilit testim, në raport me rezultatin e përgjithshëm, është:

  • Testimi me shkrim zë 70%;
  • Testimi i aftësive fizike zë 20%;
  • Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit zë 5%;
  • Testimi psikologjik zë 5%.

Aplikantët s’kualifikohen në rastet e mëposhtme.

            a-nuk kalon testin me shkrim nëse nuk merr 70 %  të pikëve të këtij testimi;

            b-nuk kalon testin fizik nëse nuk merr 60 %  të pikëve të këtij testimi;

            c- nuk kalon intervistën me gojë nëse nuk merr  70 %  të pikëve të këtij testimi;

            d- nuk kalon testin psikologjik nëse nuk merr  70 % të pikëve të këtij testimi.

Policia e Shtetit garanton të gjithë aplikantët se ka marrë të gjitha masat me qëllim kryerjen e një procesi testimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.

SHKARKO APP