David Cameron mbërrin në Shqipëri, pritet nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani
Ish-kryeministri britanik David Cameron, tashmë sekretar shteti për çështjet e jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, ka mbërritur në Tiranë ditën e sotme.
Ai është mirëpritur nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në aeroport.
Ministri Hasani ka ndarë një foto nga takimi në aeroport me Cameron dhe shpreh kënaqësinë e tij për këtë vizitë.
“Kënaqësi e madhe për të mirëpritur Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit David Cameron për në Tiranë. Ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësore, në dritën e kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, duke përfshirë maksimizimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Hasani.
Cameron fillimisht do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit, kryeministri Rama dhe sekretari Cameron do të zhvillojnë konferencë për shtyp në orën 12:50 te biblioteka, Cod.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet më pas me Presidentin Bajram Begaj në orën 14:30.
Burime diplomatike i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se në fokus të vizitës nuk është ndonjë çështje specifike, por vijimi i mbështetjes britanike për Shqipërinë.
Njëkohësisht, tregon rikthimin e vëmendjes pas Brexit për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe. Disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për kalimet e Lamanshit me gomone të emigrantëve ilegal.