Debati në Kuvend për minimumin jetik, Çupi: Qeveri pa ndjeshmëri njerëzore! Manastirliu: Vullneti ynë të rrisim mbështetjen për familjet në nevojë
Këtë mbrëmje ka seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi ka ngritur një sërë pyetjesh kundrejt ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për minimumin jetik. Ministrja Manastirliu tha se vullneti i qeverisë është i palëkundur për mbështetjen e familjeve në nevojë.
”Me skemën e vjetër që jepej ndihma ekonomike ishte 22% përfitueshmëria nga skema, ndërsa sot jemi në nivelet e 82%. Politikat tona mbeten të fokusuara tek përmirësimi i nivelit të jetesës. Ne po mbështesim nga kriza aktuale duke forcuar mbrojtën sociale nëpërmjet fondit total. Fondi total do jetë 2 herë më shumë se në 2013. Ne kemi rritur masën e ndihmës ekonomikë për nënat me 2 ose më shumë fëmijë. Këtë vit kemi kryer indeksimin me 7.5% të pagesave për aftësinë e kufizuar. Vullneti ynë është i palëkundur dhe do të rrisim më shumë mbështetjen për familjet në nevojë”,-tha Manastirliu.
Deputetja Çupi tha se ka 32 vite dhe ende nuk është miratuar minimumi jetik dhe për të as nuk kanë ndërmend që ta miratojnë. Nga ana tjetër, Çupi akuzoi qeverinë se janë marrë 4 miliardë euro borxhe, por qeveria nuk i ka përdorur për qytetarët.
”Jo vetëm që nuk e kanë bërë në 32 vite dhe nuk është miratuar minimumi jetik, por nuk kanë ndërmend që ta bëjnë. E keni katandisur Shqipërinë në mjerim. Është e pafalshme që ju 9 vite në qeveri keni marrë borxh 4 mld euro, por nuk i keni përdorur për të rritur minimumin jetik dhe mesa shoh nuk e keni ndërmend. Shqiptarët duhet të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të ketë. Ju jeni një qeveri e paaftë dhe e korruptuar. Ju nuk keni minimumin e ndjeshmërisë njerëzor. Janë të rinj që as nuk guxojnë të jetojnë një jetë normale. Po i trajtoni njerëzit vetëm si statistika. Vendosni minumimin jetik”.