Debati për Sazanin, Rama: Nuk është shitur tokë publike, mbetet pronë e shtetit
Kryeministri Edi Rama, në episodin e sotëm të podkastit “Flasim”, është ndalur te një intervistë e tij e fundit për Deutsche Welle, të cilën e ka cilësuar si të ndikuar nga informacione që, sipas tij, nuk janë të sakta lidhur me projektin e diskutuar.
Ai shpjegoi se gjatë vizitës në Bochum të Gjermanisë, ku mori pjesë në samitin ndërkombëtar “Ruhr Summit”, është përballur me pyetje për projektin që lidhet me kompaninë e përfaqësuar nga Jared Kushner. Rama sqaroi se zona e Zvërnecit është tokë private, ndërsa Sazani mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe se ende nuk është finalizuar marrëveshja përfundimtare.
Sipas tij, shteti shqiptar do të ruajë pronësinë mbi tokën dhe do të jetë gjithashtu partner në sipërmarrje, ndërsa çdo zhvillim i mundshëm do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe do të monitorohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ai theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë interes të ndërmarrë hapa që bien ndesh me kriteret e procesit të integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama foli edhe për aktivitetet e vizitës në Gjermani, duke përmendur pjesëmarrjen në “Ruhr Summit”, ku prezantoi transformimet e Shqipërisë në fushën e digjitalizimit dhe modernizimit të qeverisjes, përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Ai veçoi gjithashtu takimin me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, me të cilin diskutoi për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale.
Rama u ndal edhe te intervista e dhënë për Deutsche Welle, të cilën e përshkroi si të ndikuar nga narrativa të pasakta për projektin në fjalë, duke theksuar se nuk ka pasur dhe nuk ka plane për shitje të tokës publike. Ai nënvizoi se Sazani mbetet pronë shtetërore dhe se çdo marrëveshje po diskutohet në kuadër të një partneriteti, ku shteti është pjesëmarrës.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se i gjithë procesi është i lidhur ngushtë me detyrimet e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke siguruar se çdo hap do të jetë në përputhje me kriteret dhe standardet europiane dhe nën monitorimin e Komisionit Europian.
KOHA JONË SONDAZH

