Dëbora izolon zonat malore në Kukës, pezullohet edhe mësimi

Disa zona malore nga juglindja në veri po shkojnë drejt izolimit si pasojë e reshjeve të dëborës që ka përfshirë vendin 48 orët e fundit. Ngricat në rrugë dhe mungesa e energjisë janë problemet që hasin banorët. Në Kukës dhe në Kolonjë mësimi është pezulluar.

Banorët e Shishtavecit në Kukës janë izoluar për shkak të reshjeve intensive të dëborës që kanë përfshirë vendin prej 48 orësh.

1.5 metra ka arritur trashësia e dëborës në fshat sipas banorëve të zonës malore ku këtë të enjte raportohet se nuk u bë mësim ashtu si edhe në disa zona të tjera ku ka edhe probleme të theksuara me energjinë elektrike

Ngricat në rrugë dhe mungesa e energjisë elektrike është problem kryesor edhe në zonat rurale të qarkut të Dibrës, ku zona e Lurës sipas raportimeve po shkon drejt izolimit.

Në Veri akset Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë – Steblevë kalohet me zinxhirë sipas ARRSH.

Problematika po hasen edhe në qarkun e Korçës.

Në qytet trashësia e dëborës është nga 5 -10 cm, që e pasuar me ngricat shkaktoi probleme për këmbësorë, ndërsa në zonat malore shkon mbi 30 cm.

Akset Boboshticë-Dardhë, në km 5–14, dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë.

Shkollat ne Pepellash dhe Gjonc në Kolonjë  janë të mbyllura për shkak të mosfunksionimit të ngrohjes, ndërsa të tjera e zhvilluan me orë të shkurtuara.

Shumë fshatra malore raportojnë probleme me energjinë prej 48 orësh.

Pas pezullimit prej 24 orësh mbrëmjen e së enjtes pritet të nisen tragetet nga Durrësi drejt Barit, ndërsa linjat e tjera kanë funksionuar normalisht.

Peshkarexhat ndërkohë do të ndalohen të dalin në deri më datë 8 Shkurt.

SHKARKO APP