Dëgjesë me kryebashkiakët për Reformën Territoriale, kërkesa për kompetencat dhe financat
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi një seancë dëgjimore me kryebashkiakët e qarkut Vlorë, ku u diskutuan efektet e reformës së vitit 2014 dhe nevoja për përmirësime në funksionimin e pushtetit vendor.
Gjatë diskutimeve, përfaqësues të Komisionit theksuan se fokusi kryesor është te kompetencat e bashkive, financimi dhe organizimi territorial, si dhe aftësia për ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët. Opozita kritikoi mungesën e disa kryebashkiakëve në seancë, duke kërkuar pjesëmarrje më të plotë në dëgjesa.
Kryebashkiakët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Selenicës, Konispolit dhe Himarës vlerësuan se reforma ka sjellë rritje të buxheteve, përmirësim të investimeve dhe konsolidim të shërbimeve publike. Megjithatë, ata theksuan se mbeten sfida të rëndësishme, sidomos në financimin e bashkive dhe mungesën e kompetencave të plota në disa fusha.
U kërkua gjithashtu rishikimi i formulës së financimit, forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe zgjerimi i kompetencave të pushtetit vendor, përfshirë arsimin parauniversitar dhe menaxhimin e plazheve. Kryebashkiakët ngritën edhe çështjen e emergjencave civile dhe nevojës për më shumë mbështetje gjatë sezonit turistik.
Në përgjithësi, drejtuesit vendorë e cilësuan reformën e 2014-ës me ndikime pozitive, por theksuan se ajo ka nevojë për përmirësime të mëtejshme në decentralizim, financa dhe ndarje më të qartë të kompetencave mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

