Dekadë dashurie, letra e ndjerë e babait për ditëlindjen e vajzës
Nga Herion Mesi, gazetar
DEKADË DASHURIE!
Hersush, mbaje mend se sot është një ditë e veçantë, ndryshe nga të tjerat. Dhe do të bëje mirë që ta kujtosh, pasi data e sotme është unike, nuk do të kthehesh më këtu. E di çfarë të them? Kujtoje edhe nesër. Kujtoje gjithmonë.
Qartësia e të qënit e jotja dhe ta ndjesh tënden nuk mjafton. Duhet të kesh dhe një dreq frike që mund ta humbasësh. Gjithmonë… Nuk është asnjëherë shumë vonë për të shkuar tej në kujtime, përjetime apo edhe në ëndrrime!
Asnjëherë mos guxo t’i thuash vetes që nuk do t’ia dalësh mbanë, pasi ti mund ta bësh, sepse fundja ti je një femër!
Mund ta bësh, sepse ti i ngjan mamit, që 10 vite më parë ishte në gjendje të kërcente me dy zemra, të merrte frymë me katër mushkëri dhe të mbante brenda barkut të saj peshën e dy botëve.
Ndaj asnjëherë mos dysho tek vetja dhe të thuash që nuk je e aftë për diçka, sepse ti je e aftë për gjithçka.
Mbase të kesh shumë lumturi brenda vetes të frikëson apo jo? Në fakt na pëlqen të jemi pak të palumtur.
E pat thënë dhe dikush dikur: “Jetuan të palumtur, sepse kushtonte më pak”.
Ka shumë njerëz që në gjithë jetën e tyre kanë kursyer pikërisht për të qenë të palumtur. Sepse kishin kuptuar që lumturia, ashtu si kurajoja, ashtu si pasionet kushtojnë shumë. Janë gjërat më të shtrenjta që mund të ketë një njeri. Por janë edhe më të bukurat.
Nuk të kërkoj asnjëherë që të më japësh një puthje. Nuk të kam kërkuar asnjëherë që të më thuash: “Më fal!”, edhe atëherë kur mendoj se ti gabon.
Nuk të kërkoj e as të kam kërkuar të më përqafosh edhe atëherë kur unë kam nevojë për atë përqafim. Nuk të kam kërkuar të më thuash sa i mirë jam, edhe pse mund të jetë një gënjeshtër e momentit sa për të më ledhatuar sedrën, as të më shkruash gjëra të bukura, siç ti di.
Nuk të kërkoj as të më pyesësh se si ishte dita ime, as të më thuash që të mungoj.
Nuk do të të kërkoj kurrë të më falënderosh për atë që bëj për ty, e as të shqetësohesh për mua edhe kur jam poshtë me moralin. Dhe, natyrisht, nuk të kërkoj që të më mbështesësh në mendimet dhe vendimet e mia.
Nuk do të të kërkoj të të më dëgjosh edhe kur do kem mijëra histori për të të treguar.
Nuk do të të kërkoj asgjë, as të qëndrosh pranë meje. Sepse nëse do më duhet të të kërkoj gjëra të tilla, atëherë do të jem unë që nuk do t’i dua më.
Pra, çdo gjë që do të bësh, do ta bësh atëherë kur ti ta ndjesh se duhet, jo se ta kërkon dikush, qoftë ky person edhe unë.
Unë e dua lirinë time dhe për këtë arsye i lë gjërat që dua në lirinë e tyre. Nëse kthehen është për faktin se i kam fituar. Nëse nuk e bëjnë është për faktin se ato nuk kanë qenë asnjëherë të miat.
Dy janë pasojat e zgjedhjeve që ti bën dhe më beso që çdo zgjedhje e bërë me dashuri do të shpërblehet.
Dhe do të jesh e shpërblyer jo për talentin tënd, apo për aftësitë e tua, por sepse do të kesh treguar se e kishe kurajën për ta parë veten në sy përpara pasqyrës.
Të detyrosh apo të tentosh të ndryshosh me forcë diçka që nuk ndryshon është humbja më e madhe e kohës në jetën tonë.
Ka shumë pak gjëra për të bërë nëse të duhet të kuptosh dikë, pasi gjithmonë është e kuptueshme kultura e personit që të qëndron përballë, dhe kjo ndodh pikërisht në momentin kur hap gojën.
Mjaftojnë pak fjali dhe në atë moment merr kuptim dhe shprehja: “Të lexosh është sikur të puthësh”, kush e bën mirë dhe shpesh, gjuhën mund ta përdorë shumë mirë e në mënyra të ndryshme.
Sepse mendja e dikujt që di të dhurojë emocione duhet të jetë si ylberi, plot ngjyra, si nga gjestet ashtu edhe nga fjalët.
Është mendja ajo që e bën mishin të ulërasë dhe t’i japë kënaqësi shpirtit për të shijuar pikësëpari në të gjitha mënyrat.
Dhe nëse dikush pa këto veti nuk arrin të të bëjë për vete, atëherë dije se fjalët do të jenë thjesht zhurma.
Dhe për këtë e ke një person në jetën tënde… Mami Saimirën…
Sepse Mami jote është ai njeri që si pa u ndjerë arrin të të mahnisë, është njeriu që të fal detin në dimër dhe që e ka detin brenda saj.
Është njeriu që jeton me muzikë dhe jo në zhurmë. Njeriu që të kupton më së miri dhe të lejon të hysh brenda saj si uji në rrënjët e thella të luleve.
Është ajo që dëgjon atë që na rrethon neve, ndaj çdo gjë që e përfshin atë është pasion, poezi, nostalgji e zjarrtë. Është ajo që askush nuk do ta arrijë, sepse askush nuk e mbërrin atë, pasi askush nuk e gjen dot.
Ajo është rruga e panjohur dhe e mbushur plot zëra që e dërgojnë përtej atë në pafundësinë që gjithkush trembet. Gjithçkaja nuk është diçka që i mundësohet çdokujt. Gjithçkja i është lejuar vetëm asaj. Dhe është ajo që ta dhuron, vetëm ajo.
Është ajo që e bën atë një grua, është heshtja e saj që të mbush shpirtin dhe është gjithçka që ajo posedon.
Dhe kjo, nëse ti e kupton atë, është i gjithë thesari i saj.
Në ditën tënde po mundohem t’i shmang këshillat, sepse mbrëmja ime mendon gjithmonë për ty, si një ëndërr me sy hapur. Ja psh:
Do doja të isha ajri që të vesh ty, për një moment të vetëm, pasi gjithmonë dua që të jem tek ti si njeriu i padukshëm, por gjithmonë aty sa herë që të kesh nevojë.
Dije se ti je njeriu që më dërgon gjithkund, larg nga pendimet, atje ku gjithçka ekziston; ku gjithçka është e mundur; ku dashuria të ndihmon për të mbyllur plagët; atje ku mund të ndihem gjithnjë i sigurt edhe pa pasur nevojë të flas; atje ku edhe një buzëqeshje kthehet në përqafim; në vendin ku nuk do të më mungosh asnjëherë, edhe atëherë kur do të jemi larg njëri-tjetrit.
Më merr me vete në vendin që ti e di se mund të ketë vend për ne, ku ëndrrat shndërrohen në çaste të jetuara, ku çdo gjë është e lehtë, ku çdo puthje është një çast lumturie, atje në vendin ku ti do të jesh e sigurtë që do të ketë gjithnjë një vend të fshehtë për të dëgjuar dallgët e detit, ai do të jetë dhe vendi ku do të ndihem i drejtë edhe pse mund të gaboj.
Sepse unë bëj pjesë tek ata njerëz që besoj dhe mendoj që një prind është një mësues fluturimi.
Duhet të të mësoj të fluturosh, nuk jam shantazhues. Nuk jam një njeri që shpresoj që ti të rrish në shtëpi me mua deri sa të shkosh 60 vjeçe dhe kështu bëhesh më në fund një si tip ushqimi që shpërndahet falas për të moshuarit apo prindërit e tjerë. Ky është egoizëm dhe nuk ka asnjë lidhje me dashurinë. Dashuri është të të shikoj të fluturosh.
Ndaj dua që të jetë gjithmonë dashuri, ajo që përjeton dhe ajo që ti je. Dua që të jesh gjithmonë një emocion, të ndjesh një përkëdheli që shfaqet në shpupurisjen e flokëve të tua.
Dua që gjithmonë të jesh shpresë, sot dhe nesër për këdo që është pjesë e jetës tënde.
Të jesh koha që ti ke nevojë për të mos harruar se sa e bukur është bota, nëse atë e jeton në shpirt. Dua që ta shikosh me sytë e mi se sa i madh është deti, sa i bukur është qielli. Të ndihem sikur jam në shtëpi me ty edhe në momentin që unë po vrapoj mes njerëzve.
Dua që të jetë shpirt i gjallë në një përqafim që vjen përmes muzikës. Shumëçka për të fituar edhe atëherë kur humbet për shkak të kohës. Dua, dhe dua shumë që realiteti të jetë vetë kuptimi edhe aty ku nuk ka asgjë edhe pse e di shumë mirë një gjë të tillë.
Pastaj, dua që të mbjellësh shpresë tek ata që dinë t’i dhurojnë tingujve aromën e viteve. Sepse të duash është diçka që e bën të rrallë një lule, pasi dashuria e bën të mundur një ëndërr që të jetë ëndërr. Atje ku e nesërmja jote është gjithçka që dua brenda vetes time të jetoj në kohë.
Sepse të dhurosh dashuri nuk është asnjëherë dobësi, e kundërta është të mos dish të duash.
Njerëzit janë kuriozë, gjithmonë. Por ndodh shpesh që ata janë të nxitur dhe sipërfaqësorë. Kërkojnë rrugën e shkurtër për të njohur të tjerët dhe mendojnë se kjo arrihet përmes numrave: Viteve, gjatësisë kilogramëve, apo lekëve.
Zhgënjehen më pas nga njohjet që bëjnë, apo etiketimet që mund t’i bëjnë, madje edhe duke tentuar t’i gjykojnë.
Por numrat në fakt nuk tregojnë asgjë për njerëzit, pasi ato nuk mund ta tregojnë jetën e tyre, emocionet që ata kanë, ëndrrat apo forcën e shpirtit të tyre. Sepse që t’i njohësh njerëzit duhet të shpenzosh kohë me ta, të qeshësh me ta, të qash me ta, madje edhe të zihesh me ta. Duhet pasur durim, t’i dëgjosh, të lexosh në sytë e tyre. T’ua dëgjosh zërin e shpirtit.
Nganjëherë duhet qarë për dhimbjen. Duhet jetuar dhe kaluar. Vetëm kështu mund të shërohesh nga dhimbja dhe trishtimi
Por sa zgjat dhimbja? Kur do të qetësohet zemra dhe kur do të kalojë dhimbja e humbjes?
Dikur njerëzit mendonin se dhimbja do të kalojë atëherë kur do të qajmë lotët tanë dhe kishin ngritur vende të posaçme për të qarë dhe në të cilat mund të mblidhje lotët e dhimbjes. E bënin këtë që në Romën e Lashtë.
Kur kupa mbushej plot me lot, ktheheshin nga varri it ë vdekurit ose ia dhuronin të vdekurve të tjerë. Dhe shpirtrat do t’i çonin një ngushëllim një zemre që ta kalonte dhimbjen.
Nëse je në kërkim të një thesari, duhet ta këqyrësh në vendet më pak të dukshme, jo ta kërkosh tek fjalët e njerëzve, pasi aty do të gjesh vetëm stuhi. Kërkoje në thellësitë e shpirtit të një njeriu që di të flasë vetëm me heshtje.
Bijë, unë me mamin tënd kemi kaluar shumë dhe kemi humbur shumë ditë tonat që mund të kishim qenë bashkë. Dije se largësia dhe distancat rëndojnë. Por e kam fjalën për largësitë mendore, sepse largësitë e tjera nuk kanë rëndësi, aspak. Dy shpirtrave që ndihen pranë njëri-tjetrin mund t’u vësh kundër mijëra kilometra, mure hekuri, dyer të blinduara, apo mure kështjellash, por ata do të kalojnë përmes tyre. As nuk ia ndjen për to.
Ndaj ëndërro, fluturo, përhumbu në ato momente në të cilat zemra duket sikur është përbri dallgëve dhe muzika e tyre mbushet plot me atë çfarë je .
Qesh dhe mos prit asgjë më të gëzuar se një e qeshur spontane që lind nga një improvizim i jetës. Janë çastet ato që dhurojnë pafundësinë. Mblidhi të gjitha pasi nuk janë shumë gjatë jetës dhe si të tillë ato çaste do jenë të shtrenjta për ty
Lërja zhgënjimet së djeshmes. Jeta është një udhëtim që duhet bërë duke ecur përpara në kërkim të diellit.
Ëndrrat mbeten një kimi e një hapësire pafund dhe pa kohë.
Mos u shqetëso për asgjë edhe kur njerëzit të afrohen apo të largohen nga ti. Mos ki frikë. Përkundrazi, do të festosh kur ata të kthehen tek ti. Mos i mbaj mëri, mos u trego e ashpër dhe e paduruar. Ti do t’i bësh atyre një festë, sepse ai apo ajo u kthye, u kthye dhe pa që ti je, ekziston. Ka parë bukurinë tënde, njeriun që je. Të gjithë njerëzit janë të bukur në llojin e tyre dhe këtë nuk e them sepse duhet thënë, por sepse kështu është. Bukuria qëndron tek fakti se të gjithë janë të ndryshëm dhe çdokush mbart brenda vetes një simfoni, një bashkësi notash, ngjyrash apo aromash që i bëjnë të ndryshëm. Atëherë, festo kur të kthehen dhe mos krijo tragjedi kur ikin.
Pusho së prituri që jeta të jetë e lehtë, ndalo së shpresuari që dikush të jetë aty gjithmonë pranë teje të të shpëtojë.
Nuk ke nevojë që dikush të të gënjejë. Gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë, por duke e ditur këtë ti mund të jesh e fortë. Ngrihu, nis që tani të përballesh me sfidat e tua dhe do të kesh një jetë të pabesueshme.
Jeta është e shkurtër, ndaj fal shpejt! Mos debato për gjëra të pavlera dhe pa rëndësi. Puth ngadalë, duaj sinqerisht. Ji pak xheloze, por pak fare ama. Qeshu dhe qesh lirisht, pa ndjenjën se dikush po të vëzhgon lumturinë tënde, apo për çfarë do qoftë arsyeja. Jeta mbase nuk është ajo festa që ti shpresoje, por meqë je pjesë e saj, mos ndalo së vallëzuari dhe kënduari!