Deklarata e Çuçit, Hajdarmataj: Shfajësoi policinë që i shërben qeverisë duke shkelur ligjin

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sot në konferencën për mediet ka shigjetuar gjyqësorin dhe prokurorinë për situatën kriminale.

Lidhur me këtë deklaratë të ministrit të brendshëm, Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i policisë së shtetit i ftuar në studion e Ora News, u shpreh se nuk është hera e parë që i shohim këto skema të ministrave të Brendshëm. Zoti Hajdarmataj u shpreh se mund të ndodhemi para një fakti të tillë që ministri i Brendshëm mund të jetë thjesht në kuptimin figurativ, sepse përsa i përket marrëdhënieve të policisë me kryeministrin, ministri i Brendshëm mund të jetë jashtë loje fare.

Hajdarmataj: “Këto skema të ministrave të Brendshëm nuk është hera e parë që i shohim. Këtë stil e ka vazhduar zoti Tahiri, zoti Xhafaj, por këtë lloj historie nga ministrat e Brendshëm e kemi parë. Nuk mbajnë përgjegjësi nëse janë të paaftë. Mund të ndodhemi dhe para një fakti të tillë që ministri i Brendshëm mund të jetë thjesht në kuptimin figurativ, sepse përsa i përket marrëdhënieve të policisë me kryeministrin, ministri i Brendshëm mund të jetë jashtë loje fare. Ky ka qenë një fakt publik kur dha dorëheqjen zoti Lleshi, ndërkohë qytetarët kërkonin dorëheqjen e Ardi Veliut, por dorëheqjen e dha ministri. Kjo do të thotë që drejtori i policisë është më i fortë në aspektin e lidhjeve të tij personale me kryeministrin.”

Zoti Hajdarmataj tha se është defekt shumë i madh i policisë që nuk arrin të kontrollojë territorin.

Hajdarmataj: “Nëse policia e shtetit kontrollon territorin, atëherë bëhet e mundur dhe parandalimi i një ngjarjeje të tillë. Ashtu siç deklaroi ministri që policia nuk ka pasur dijeni, ky është një defekt shumë i madh i policisë që nuk arrin të kontrollojë territorin. Unë e ngarkoj me shumë faj policinë për parandalimin e situatës në Velipojë.”

Përsa i përket deklaratës së zotit Çuçi ku bën me faj gjyqësorin dhe prokurorinë, Hajdarmataj tha se këto institucione kanë fajin e vet, por nuk mund t’i faturohet atyre gjithçka për të shfajësuar policinë.

Hajdarmataj: “Mund të ketë një prokuror që abuzon, mund të ketë një gjyqtar që abuzon, por nuk mund të kalohet fajësia për parandalimin e krimit te Prokuroria dhe te Gjykata. Ata kanë pjesën e vet të fajit, por jo t’i faturohet gjithçka me idenë që të shfajësohet policia e shtetit. Kjo polici i ka shërbyer në maksimum kësaj qeverie duke shkelur dhe ligjin.”

SHKARKO APP