Deklarata e Hodges se Shqipëria është krijuar artificialisht, Zhupa: Tradhti kombëtare. PS duhet të ziente
”Tradhti kombëtare”, e ka cilësuar deputetja demokrate Ina Zhupa faktin që PS-ja po tenton ta kalojë në heshtje deklaratën e kreut të Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, Richard Hodges, i cili gjatë një leksioni të mbajtur vite më parë për studentët në Romë e cilëson Shqipërinë një shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.
Ajo kërkoi sot interpelancë me minsitren e kulturës Elva Margariti, por që nuk u mor në konsideratë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Jashtë sallës së kuvendit, Zhupa reagoi ashpër ndaj kryeparlamentares Nikolla, duke e akuzuar se ndjek verbërisht urdhrat e Ramës.
“Ishit dëshmitarë sesi sot me gjithë përpjekjet për të kërkuar fjalën për procedurë parlamentare. Lindita Nikolla me urdhër të Edi Ramës nuk lejoi që ne të flisnim. Ju jeni në dijeni të deklaratave antishqiptare që ka mbajtur Richardes Hodges pjesëtar i bordit të Butrinti që ka marrë me koncesion, unë dhe 7 kolegë kemi bërë kërkesë për interpelancë urgjente që duhet të ishte pika e parë e rendit të ditës. Jo vetëm që nuk ishte në rend dite por nuk morëm asnjë shpjegim nga Nikolla pse nuk ishte vënë në rend dite, nuk u lejova të kërkoja të drejtën që ma jep rregullorja e kushtetuta. Sot për qytetarët nuk është e rëndësishme nëse ikën Beni e vjen Bela, por çfarë bëhet me identitetin kombëtar, se kujt i jepet historia e trashëgimia jonë kulturore dhe si po dhurojmë nga territori shqiptar. Pasi Hodges e ka deklaruar me zë e figurë se Shqipëria është vend artificial i krijuar nga fuqitë e mëdha pa asnjë shqiptar. Kjo është çështje kombëtare që parlamenti duhet të ziente dhe jo ta kalonte në heshtje dhe jo ta kalonte në heshtje për interesat e Edi Ramës dhe pupacët e tij në Ministrinë e Kulturës”.