Çfarë thanë deputetët jashtë parlamentit, premtim për reformë!

Në këto momente kuvendi ka ndërprerë seancën plenare, pasi kryetari i parlamentit, Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe dy ambasadorët, ajo e BE, Romana Vlahutin dhe Ambasadori amerikan Donald Lu janë në mbledhjen për gjetjen e konsensusit, që kërkohet për miratimin e Reformës në Drejtësi. Jashtë ambienteve të Kuvendit, nuk kanë munguar edhe reagimet e deputetëve, të cilët kanë dhënë qëndrimet e tyre mbi reformën. Në një zëri ata janë shprehur se sot, reforma do të kalojë me sukses.

Ben Blushi

Deputeti i PS-së, Ben Blushi është shprehur se: “Unë shpresoj të gjendet konsensusi. Është një klasë politike e papërgjegjshme. Kjo klasë politike është e papërgatitur. Turp të jesh anëtar i këtij parlamenti. Unë do ta votoj në çdo rast reformën. Kam 6 muaj që pres. Kjo që ndodhi është qesharake. Klasa politike gjen marrëveshje për të mos u marrë vesh. Nuk dua të di çfarë do të ndodhë pas reformës, reforma në drejtësi sot duhet të votohet me çdo kusht.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Mimi Kodheli

Swiss Digital Mobile Reklama

Optimiste gjithashtu për miratimin e kësaj reforme u shpreh edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila tha se të gjithë e duan miratimin e saj.

Në një prononcim për mediat jashtë kuvendit, znj.Koledhi  është shprehur se reforma në drejtësi do të realizohet. Më tej ajo i ka bërë thirrje klasës politike, që të përmbushë përgjegjësitë që ka. Ministrja ka shtuar se: “Kemi një ngarkesë të madhe, një përgjegjësi të madhe dhe do ta përfundojmë këtë proces. Jam besimplotë se do t’ia dalim. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shumë më shumë se sa kaq”, ka thënë Kodheli.

Ajo ka theksuar se, optimizmi i saj vjen nga morali mbi të cilin mazhoranca ka ngritur këtë proces. “Flas këtu për moralin e PS dhe qeverisë. Që në fillim jemi përpjekur të bëjmë më të mirën. Po kujtoj këtu apostulatin e Shekspirit: “Nuk ka gjëra të pamundura, ka vetëm njerëz të pazotë”. Ne nuk jemi të pazotë, ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë Kodheli.

Majlinda Bregu

Në hyrje të parlamentit, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu e cila është pro reformës, në një prononcim për mediat është shprehur se opozita dje ka marrë vendim për të votuar Reformën dhe ashtu duhet të ndodh u shpreh ajo.

Më tej deputetja ka shtuar se: ”Më vjen keq të them por burrat po bëhen më keq se gratë e këqija. Kjo marrëveshje dhe kjo reformë sot duhet të votohet. PD ka marrë dje një vendim për të miratuar reformën në drejtësi. Kaq këtu ka mbaruar misioni ynë. Reforma në drejtësi duhet të votohet”,- është shpreh deputetja e PD-së.

Ajo i ka bërë thirrje politikës që të lënë lojrat dhe të miratojnë Reformën në Drejtësi.

Edhe deputetja e PD-së, Albana Vokshi është shprehur se patjetër që sot grupi do të votojë reformën.

Eduard Selami

Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami gjithashtu u shpreh optimist për miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa i cilësoi si të pakëndshme tentativat për ta bllokuar atë. Ai shtoi gjithashtu se PD e ka ende një vendim unanim për ta miratuar sot në Kuvend dhe se nuk ka kthim mbrapa.

Eduard Selami ka deklaruar më tej se:”Janë të pakëndshme, të papritura, por ju siguroj që askush nuk ndalë reformën në drejtësi që është hap i rëndësishëm që ka mbështetjen e popullit të SHBA dhe BE. Reforma në drejtësi do të bëhet me konsensus sipas draftit të Nuland dhe nuk ka kthim prapa. Kushdo që përpiqet me dashje apo pa dashje të pengojë këtë nuk ka sukses dhe kjo është një ditë historike. Reforma duhet miratuar sot, sa më parë aq më mirë”.

Ai ka nënvizuar se miratimi i sotëm i kësaj reforme, do të jetë për të mirën e Shqipërinë.

Siç është dhe zyrtare, opozita do të votojë dhe këtë e ka rikonfirmuar dhe z.Selami i cili ka thënë se: “Ne kemi akoma një vendim grupi të PD unanim që jemi për miratimin e reformës”.

Genc Ruli

Edhe deputeti i PD-së, është shprehur se vota e tij është pro reformës. “Vota ime është pro reformës. Reforma nuk është vetëm drafti që është para. Drejtësia nuk mund t’i lihet Ramës. Reforma kërkon të largojë politikën nga drejtësia dhe kjo bëhet me balancimin e organeve.”

Kastriot Islami

Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, situatën  e cila ka vënë në pikëpyetje miratimin e reformës sot, ka reaguar në një postim në facebook, duke u shprehur se Kryeministri Rama po përgatit një skenar ogurzi për vendin dhe shqiptarët.

Ai e ka cilësuar situatën, si në prag të një krize politike, kushtetuese, dhe ekonomike.“Opozita po lufton maksimalisht për të çmontuar këtë skenar dhe shmangur kurthin qe i janë ngritur asaj dhe vendit”,- është shprehur Islami.

Më tej deputeti demokrat ka shtuar se: “Opozita kërkon me insistim miratimin me konsensus te reformës në drejtësi bazuar ne modelin e kompromisit te djeshem te pershendetur nga Merkel, Nuland, Hahn e te tjere. Kjo është rruga e drejtë dhe qe shmang krizen. Rama dhe klientela e tij kerkojne ta minojne konsensusin dhe te provokojne edhe nje here opoziten e eventualisht edhe aleatin kryesor per hedhur ne ere reformen…pra qellimi eshte te hedhin ne ere reformen se pas ketij deshtimi fshihet nje skenar ogurzi per vendin”,– ka deklaruar Kastriot Islami.

Në pikëpyetje është nëse do të sigurohen votat për kalimin e ndryshimeve kushtetuese që janë paraqitur në draftin i cili është në kuvend, ku pritet votimi. Por deputeti demokrat është ndalur në pikën se Rama sipas tij po planifikon tinëzisht të sigurojë 71 vota për të çuar vendin në zgjedhjen nën drejtimin e tij dhe pa bërë asnjë përgatitje për zgjedhjet.

Kastriot Islami ka pohuar se po tentohen të blihen votat e deputetëve.

R.SH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?