Deklaratë e shoqërisë civile shqiptare mbi krizën politike dhe propozime për zgjidhjen e saj
Ne sot jemi dëshmitarë të:
grindjeve mes aktorëve politikë sa herë që vendi ndodhet përballë vendimeve të
rëndësishme,
një polarizimi gjithmonë e më të madh mes qëndrimeve të partive politike,
një tendence të konsoliduar për t’i zgjidhur këto konflikte politike përmes pazaresh mes
kryetarëve të partive,
dëmit të madh publik që konfliktet e vazhdueshme politike kanë shkaktuar duke
penguar funksionimin normal të institucioneve shtetërore,
akuzave për bashkëpunimin e krimit të organizuar me politikën të hedhura nga aktorët
kryesorë politike të vendit,
një tendence në rritje të dëshirës për të emigruar jashtë vendit, veçanërisht mes të
rinjve,
pengesave që grindjet ndërmjet aktorëve politikë krijojnë për ecurinë e reformave të
ndërmarra në vend dhe për vendim pozitiv te Këshillit Evropian për hapjen e
negociatave për anëtarësimin në BE
një krize në rritje të përfaqësimit politik e cila manifestohet në shkëputjen e dukshme të
politikanëve shqiptarë nga shqetësimet e qytetarëve që ata përfaqësojnë
Ndërkohë, shoqëria shqiptare dhe elementë të caktuar të jetës politike po përpiqen të
ripërcaktojnë marrëdhëniet e qytetarit me politikën, dhe të reagojnë ndaj saj. Organizata nga
shoqëria civile, lëvizje qytetare, akademikë dhe ekspertë të ndryshëm kanë hapur një debat të
gjerë mbi nevojën e ndryshimit të sistemi.
Nisma të reja, peticione, lëvizje rinore dhe aksione të tjera të vazhdueshme qytetare me qasje
nga poshtë-lart po i mobilizojnë qytetarët për një ndryshim rrënjësor të sistemit aktual politik.
Ky debat po zhvillohet dhe në parlament, në media e më gjerë.
Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm qe kjo dinamike pozitive mund të humbasë mes vendimeve
të pjesshme, marrëveshjeve politike të marra në mënyrë jo transparente apo vendimeve të
bazuara në informata te pasakta dhe në keqinformim.
KOMPONENTËT E KRIZËS
Ne besojmë se në kushtet aktuale është jetike që çdo përpjekje për ndryshim të adresojë
rrënjët e problemit, të jetë e qëndrueshme, dhe në
1. Reformën zgjedhore, duke përfshirë miratimin e një sistemi zgjedhor që garanton
përfaqësim sa më të mirë dhe qeverisje të qëndrueshme, si dhe të kontribuojë në forcimin e
demokracisë brenda partive politike,
2. Forcimin e angazhimit të qytetarëve shqiptarë në vendimmarrjen e politikave përmes
rishikimit të kuadrit ligjor për peticionet, referendumet dhe nismat ligjore,
3. Forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, të fokusuar tek mirëqeverisja e tyre dhe
lufta kundër krimit të “jakave të bardha”.
Në kushtet aktuale, sfida kryesore për një demokraci funksionale në Shqipëri është funksionimi
i duhur i mekanizmit të përfaqësimit politik. Sot përfaqësimi politik ushtrohet nëpërmjet një
sistemi zgjedhor, i cili nuk nxit demokracinë brenda-partiake. Ndërkohë partitë e sotme politike
janë ato që kontrollojnë pushtetin dhe aktorët kryesorë të vendimmarrjes politike. Si të tilla,
ato janë të prirura të identifikohen me pushtetin shtetëror.
Çfarëdolloj reforme e sistemit zgjedhor nuk mund të jetë e plotë pa reformuar sistemit e
funksionimit të partive politike, dhe vendosjen e demokracisë brenda-partiake. Reforma e
përfaqësimit demokratik nis me reformimin e funksionimit të partive politike dhe të
konkurrencës mes tyre.
Neni 9 i Kushtetutës shqiptare përkufizon qartë se si duhet të funksionojnë partitë politike, por
aktet ligjore të nevojshme duhet të kompletohen, përmirësohen dhe të zbatohen. Çdo
ndërhyrje duhet të bazohet në Kushtetute dhe te fokusohet tek:
1. organizimi dhe funksionimi demokratik i partive politike;
2. ndërveprimi i partive politike me rendin kushtetues dhe me shtetin;
3. detyrimi për transparencë të përhershme financiare të partive politike.
RRUGA DREJT ZGJIDHJES
i) Si pasojë e shohim të nevojshme hartimin e një ligji të ri tërësor që rregullon funksionimin e
partive politike dhe që mes të tjerash:
siguron zbatimin e demokracisë të brendshme funksionale, duke përfshirë edhe
procedurën e vendimmarrjes;
siguron konkurrim të brendshëm të shëndetshëm bazuar tek vlerat dhe meritokracia;
krijon një mekanizëm të zgjedhjeve që nxit garën e brendshme; krijon kushte për
transparencë më të madhe në hartimin dhe zbatimin e rregullave të brendshme të
partive; dhe bën të detyrueshëm publikimin e regjistrit te anëtarëve te partisë.
ii) Lidhur me ndërveprimin e partive politike me institucionet e shtetit, shohim nevojën për
vendosjen e mekanizmave të duhur që kufizojnë përdorimin e pushtetin politik nga partitë
politike si mjet për të kontrolluar institucionet e shtetit për interesa afatshkurtra të partive,
ndërkohë që në afatgjatë dëmtojnë interesat shtetërore.
Këto mekanizma duhet:
të sigurojnë që strukturat dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve të mbeten të
depolitizuara,
të kufizojë dhe shpjerë drejt minimizimit absolut të ndikimit të partive politike mbi
administratën publike dhe politikat publike,
të forcojë institucionet kushtetuese dhe jo drejtuesit e partive,
të lejojë zbatimin efiçent, monitorimin dhe transparencën e mekanizmave kushtetues të
kontrollit.
iii) Në lidhje me detyrimin për transparencë të përhershme financiare të partive politike,
duhet të krijohet mundësia për zbatimin e përkufizimit kushtetues të “transparencës së
përhershme”, duke mos lejuar asnjë akt ligjor, nënligjor apo procedurë t’i shmanget këtij parimi
kushtetues.
Ky qëllim të arrihet përmes ndryshimeve ligjore, të plotësuar me mekanizmat e verifikimit,
kontrollit gjatë fazës së zbatimit, të cilat:
Ndajnë qartë burimet shtetërore nga fushatat zgjedhore;
Lejojnë hetimin e thellë të financimeve informale dhe / apo jozyrtare të partive politike.
Organizatat nënshkruese:
INSTITUTI PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM (CDI)
INSTITUTI SHQIPTAR I SHKENCËS (AIS)
INSTITUTI I STUDIMEVE POLITIKE (ISP)
QENDRA PËR STUDIMIN E DEMOKRACISË DHE QEVERISJES (CSGD)
KOHA JONË SONDAZH

